Ismet Munishi është larguar nga posti i trajnerit dhe tashmë klubi i Superligës së Kosovës, Ballkani, është vënë në kërkim të zëvendësuesit të tij. Në skenë kanë dalë disa emra, ku ndër tyre gjendet edhe ai i Orges Shehit. Ish-trajneri i Kukësit dhe Skënderbeut ka zhvilluar një takim me presidentin Arsim Kabashi për të gjetur një bashkëpunim në të ardhmen. Këtë e konfirmon vetë Shehi në një prononcim për “Indeksonline”, ku zbulon se çfarë u diskutua mes tij dhe kreut të klubit nga Suhareka.
“Po, jam takuar dje, kemi biseduar për rreth tre orë ku kemi lënë edhe një takim. Mënyra se si e perceptonim futbollin, kishim ide të njëjta. Ne gjithashtu perceptonim raportet e trajnerit me presidentin dhe ide se si mund ta zhvillojmë klubin. Presidenti me duket njeri pozitiv dhe me ide bashkëkohorë dhe që do ta ngrejë Ballkanin në nivelet më të larta”, ka thënë Orges Shehi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/