Skënderbeu është ende në garë dhe ëndërron grupet e Europa League, por ndërkaq një fitore e madhe është arritur deri tani: asnjë dyshim për trukime, ndryshe nga rutina e dekadave të fundit
Shqipëria dhe trukimet e ndeshjeve, në kampionat, kupë, kupa Europe a miqësore: kombinim i frikshëm dhe i pandashëm në demokraci, për shumë arsye. Varfëria ekonomike e klubeve, dëshira për të fituar para të lehta fillimisht, më pas nevoja për të mbajtur gjallë klubet dhe për të paguar lojtarët dhe së fundi edhe nevoja prë t’u rritur si klub, sepse duhen afruar lojtarë të rëndësishëm, shpenzimet janë shtuar ndjeshëm nga viti në vit, e të tjera. Këtë verë kemi luajtur 12 ndeshje: asnjë dyshim, asnjë sinjalizim nga kompanitë që merren me monitorimin e kuotave të basteve në tregun ndërkombëtar, asnjë sinjalizim drejtuar UEFA-s, që nga ana e saj më pas hap ndonjë hetim apo sinjalizon Federatën Shqiptare. Pse ky ndryshim tendence, kur kemi vite që të paktën një ndeshje në çdo verë shihet me dyshim, pak rëndësi ka pastaj nëse ka pasur manipulim, apo thjesht hije dyshimi, të zakonshme për klubet tona kur luajnë në Europë? Arsyet janë të shumta, por nuk është se jemi bërë krejt papritur më të ndershmit të Europë.
PRECEDENTI SKËNDERBEU – Deri para një viti, një ndeshje e trukuar ishte mjaft e vështirë për t’u faktuar nga UEFA. Dosje në Shqipëri kanë shumë vite që vijnë, akuza të forta për klubet tona, për ndeshje brenda e jashtë Shqipërisë, por përfundimi bazohej vetëm në luhatjet e frikshme të kuotave të basteve. Kjo lejonte edhe FSHF-në t’ia hidhte me një “UEFA nuk ka fakte, ka vetëm dyshime”. Verën e shkuar UEFA hodhi një hap gjigant, pa asnjë precedent: përjashtoi për një vit Skënderbeun e Korçës, thjesht për faktin se dyshohej se ishte përfshirë në trukime gjatë sezonit paraardhës, por edhe më parë. Pikërisht prishja e imazhit të kompeticioneve të UEFA-s bëri që qeveria e futbollit evropian ta përjashtonte për një vit skuadrën kampione të Shqipërisë. Çështja shkoi në KAS dhe aty fitoi UEFA, që vendosi më në fund një standard të ri, që do të zbatohet tani e tutje: çdo skuadër që mendohet se ka trukuar dhe dyshimet mbështeten edhe nga luhatjet në tregun e basteve, fare mirë mund të përjashtohet nga kupat e Europës, pa pasur mundësi më të apelojë gjëkundi. Tashmë klubet shqiptare e kanë kuptuar mirë: çdo dredhi mund të ndëshkohet dhe nuk ka më çështje “ka, apo nuk ka prova”.
PRESIONI NË RRITJE – Tashmë çdo klub shqiptarë monitorohet nga afër, nga organizmat ndërkombëtarë. Nuk kemi asnjë mundësi ose dëshirë për të hetuar e dënuar qoftë edhe me pamje filmike apo kuota bastesh brenda Shqipërisë, por jashtë saj laku është shtrënguar shumë. Jo rastësisht, këtë verë Kukësi luajti disa ndeshje miqësore në Austri dhe të gjitha ishin nën monitorim të rreptë të kompanive të huaja, që merren pikërisht me evidentimin e ndeshjeve të dyshimta. Kukësi u piketua nga SportRadar dhe pati shumë telashe, aq sa u ndal në Vjenë dhe la peng shumë telefona, ndërsa hetimi vazhdon. Edhe sikur të mos ketë asnjë provë dhe të mos zbulohet asgjë e dyshimtë, Kukësit nuk do t’i kërkojnë as falje dhe nuk do të ketë ndonjë dëshpërblim, qoftë edhe moral, për shqiptarët. Nëse monitorimi është kaq i rreptë në miqësore, imagjinoni në ndeshjet zyrtare.
TË ARDHURAT NGA UEFA – Skënderbeu në sezonin 2015/2016 bëri histori, shkoi në grupet e Europa League, si kurrë ndonjë klub shqiptar më parë, por mbi të gjitha arkëtoi miliona euro, shifra që për klubet shqiptare nënkuptojnë buxhetin vjetor për disa sezone rresht. Natyrisht, nuk mund të shkojmë çdo vit në grupe, është ende utopi, por nëse kalon dy ture, praktikisht mbulohet buxheti vjetor pothuajse. Një klub shqiptar nuk i kalon 1 milion euro shpenzime në sezon, ndërkohë që Kukësi kampion, edhe pa kaluar fare ndonjë tur në Champions League, arkëtoi mbi gjysmë milion euro, ndrysa po të kalonte Sherifin fitimet shtoheshin ndjeshëm dhe sigurohej edhe një tur shtesë në Europa League, në rast eliminimi nga Karabaku. Ndërkaq, Skënderbeu në Europa League ka mbërritur në turin play-off dhe ka të sigurta deri tani mbi 900,000 euro të ardhura nga UEFA. Nëse kalohet Dinamo e Zagrebit, shifra e mësipërme shumëzohet me 3 apo 4. A ia vlen të trukohen ndeshje në Europë, aq më shumë që monitorimi është i frikshëm dhe kompanitë e basteve po tregohen gjithnjë e më të kujdesshme? Prej sezonit të ardhshëm, UEFA do të shtojë shpërblimin për klubet që marrin pjesë në kupat e Europës dhe gjithashtu skuadra kampione e Shqipërisë do të kalojë në Europa League edhe në rast se nuk kalon as turin e parë kualifikues në Champions. Më shumë se kaq, është mëkat të kërkosh…