“Abissnet Superiore” ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme. Pas përfundimit të kampionatit të rregullt, 4 skuadrat e renditura në lart do të vijojnë rrugëtimin e tyre në “final four”. Skënderbeu do të sfidojë kampionët në fuqi, Partizanin, ndërsa Vllaznia do të ndeshet me Egnatian. Të dyja gjysmëfinalet do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.
Dueli i parë do të zhvillohet më 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, mes Skënderbeut dhe Partizanit. Vetëm dy ditë më vonë, më 19 maj, në po të njëjtin orar, do të luhet edhe gjysmëfinalja tjetër mes Vllaznisë dhe Egnatias. Kujtojmë se Egnatias dhe Partizanit i mjafton edhe një barazim për të shkuar në finale. Ndërkaq, klubet kanë nxjerrë në shitje edhe biletat për këto dy ndeshje./Halit Delibashi-Sport Ekspres/