Botërori “Rusi 2018” e ka gjetur kombëtaren gjermane në një situatë të pazakontë. Humbja në ndeshjen e parë ndaj Meksikës ka bërë që në kampin e “Die Mannschaft” të mbizotërojë ankthi dhe pasiguria, fakt ky i pranuar nga vetë lojtarët në intervista të ndryshme. Por, golashënuesi më i mirë në historinë e katër herë kampionëve të botës, Miroslav Kloze, beson se përfaqësuesja që ai mbështet dhe punon (asistent i tretë i Joakim Lëvit) do t’ia dalë të triumfojë, pavarësisht situatës së tensionuar, ku i ka futur humbja befasuese kundër meksikanëve. Kloze është një ndër ato lojtarë që e ka provuar se ç’do të thotë të jesh shumë pranë dështimit me fanellën e kombëtares gjermane. Në kualifikueset e Botërorit “2002”, Gjermanisë iu desh të kryente një ndeshje “play-off” me Ukrainën për të fituar një “biletë” për në Botërorin “Rusi 2018”. Atëherë ekipi i Rudi Fëler ia arriti t’ia dilte me sukses. Një barazim 1-1 mes shumë tensionesh në Kiev u kompletua me një fitore bindëse 4-1 në ndeshjen e kthimit në Dortmund.
PRESIONI NA BËN MIRË
40-vjeçari në një intervistën e tij për medien sportive gjermane “Kicker”, deklaroi se nuk shqetësohet aspak nga situata e tensionuar që ka “mbërthyer” ekipin kombëtar. “Nuk kemi qenë prej vitesh në një situatë kaq të tensionuar që në fazën e grupeve, por historia ka treguar se ne kemi ditur s’i të bëjmë kthesën edhe në momente kur presioni ka qenë i paimagjinueshëm, prandaj jam shumë optimist për ndeshjen e të shtunës”, tha Kloze.
S’KA JUSTIFIKIME
Për ish-sulmuesin, çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk do të mund të justifikohet: “Jam një tip që nuk më ka pëlqyer kurrë të përdor justifikime, ose të dëgjoj të tjerët, teksa i përdorin. Në fund të ndeshjes ndaj Suedisë, në rast se nuk arrijmë të fitojmë, nuk dua të dëgjoj fjalë për efektin që mund të ketë pasur gjatësia e barit, gjykimi i dobët, ose dhe dielli i fortë. Duhet të tregojmë se jemi një grup i bashkuar dhe ç’ka është më e rëndësishmja duhet të tregojmë se jemi Gjermania.”
BOSHTI I LIDERËVE
Për Klozen, kontingjenti i tanishëm i kombëtares gjermane, ka në gjirin e saj disa lojtarë me eksperiencë, të cilët janë mëse të aftë të udhëheqin ekipin në këto momente të vështira. Bëhet fjalë me lojtarët e mbetur të skuadrës nga Botërori i kaluar, me të cilët 40-vjeçari ia doli të sillte në Gjermani trofeun më prestigjioz në planet pas një pritje 24-vjeçare. “Kemi njerëz me karakter, të cilët e kanë treguar se dinë t’i kalojnë situata si këto që jemi tani. Është një bosht lojtarësh, do të udhëheqin pjesën tjetër të skuadrës. Duke filluar në mbrojtje Manuel Nojerin e Mats Humelsin dhe duke vazhduar me Toni Krosin, Sami Kedirën dhe Tomas Mylerin”.
ROJS, I DOMOSDOSHËM
Megjithëse Kloze është asistent i Joakim Lëvit, ai nuk ngurron të diskutojë lojtarët për planin taktik, që ai do të preferonte për ndeshjen ndaj suedezëve. 40-vjeçari nuk përmend emra lojtarësh, por nënkuptohet që ai ka në mend vetëm një lojtar, Marko Rojsin. “Do të na duhen lojtarë, që do të na çojnë pa vonesë drejt portës së kundërshtarit, nuk kemi luksin të vonojmë lojën me minuta të tëra për të pritur rastin ideal”, përfundoi ish-sulmuesi i kombëtares gjermane.