Trajneri i Liverpulit dëshiron të harrojë 10 minutat e fundit ku i fali 2 gola Romës. “Ne jemi Liverpuli, na pëlqen gjithnjë t’i ndërlikojmë punët”
Në fund Liverpuli i tij ka fituar 5-2, por fare mirë mund të kishte qenë 5-0, ose më shumë se kaq, nëse Lovren me shokë nuk do t’i kishin dhënë mundësi Romës të shënonte dy gola në 5 minuta dhe për të mbajtur verdhekuqtë ende në lojë. Por edhe pse kështu, trajneri Jurgen Klop ka qenë njëlloj i kënaqur, njëlloj i lumtur, duke deklaruar se ndoshta ekipi i tij ka shkuar përtej pritshmërive të gjermanit në këtë ndeshje. Mohamed Salah me dy gola dhe dy pasime për gol ka qenë ylli i mbrëmjes dhe Klop për momentin duket i kënaqur.
Suksesi – “Për mua ka qenë një paraqitje mbresëlënëse, një paraqitje perfekte për 80 minuta dhe më pas bëmë gabime në mbrojtje, veçanërisht në golin e parë të Xhekos. Ky është ligji i këtij kompeticioni, sa më shumë të shënosh, më mirë është. Mund të biem dakord që penalltia e Romës ishte shumë e dyshimtë, madje as penallti, por nuk mund të ndryshojmë asgjë. Rezultati përfundimtar thotë 5-2. Do të kisha qenë shumë më i kënaqur nëse do të kishim mbyllur gjithçka 5-0 apo 5-1, por 5-2 mbetet përsëri një rezultat fantastik. Nëse përpara ndeshjes do të më kishit pyetur për një rezultat të tillë nuk do ta kisha menduar as në ëndrrat më të bukura. Djemtë kanë bërë vërtet një paraqitje të shkëlqyer. Tani na pret ndeshja e kthimit. Do të shkojmë atje me synimin për të fituar, sepse nuk ka mbaruar ende, kemi një betejë përpara dhe kush mendon finalen, gabon rëndë”, shprehet Klop.
Rruga e vështirë – Sigurisht që dy golat e pësuar në fund e kanë prishur disi festën e tifozëve të Liverpulit, që pas 80 minutash lojë kishin nisur të bënin planet për udhëtimin në Kiev. Por tani do t’i duhet të vuajnë dhe për 90 minuta të tjera në Romë përpara se të mendojnë për finalen e madhe. Klop ka qenë i qartë: “Ne jemi Liverpuli, nuk na pëlqejnë gjërat e thjeshta, ne na plqen t’i ndërlikojmë gjithnjë situatat. Kështu ndodhi dhe me Romën. Por nuk mund të ankohemi shumë për rezultatin, ishte i mrekullueshëm.”