Cesc Fabregas mund të ketë një rrugë të re larg Comos, nëse një ditë vendos të rikthehet te një prej klubeve që kanë shënuar karrierën e tij si futbollist. Sipas raportimeve të gazetarit italian Gianluca Di Marzio, trajneri spanjoll ka një klauzolë të veçantë në kontratën me Comon, e cila favorizon vetëm tre klube: Barcelonën, Arsenalin dhe Chelsean. Nëse një prej këtyre skuadrave do të kërkonte shërbimet e Fabregasit, do të mjaftonte pagesa e një shume të paracaktuar, pa qenë nevoja për negociata të gjata me klubin italian. Megjithatë, kjo klauzolë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Como apo nga vetë Fabregas.
Zgjedhja e tre klubeve nuk është rastësi. Fabregas u formua te akademia e Barcelonës, u bë kapiten dhe figurë kryesore te Arsenali, ndërsa me Chelsean fitoi dy tituj të Premier League. Spanjolli ka refuzuar më parë interesimin e Interit, Romës dhe Bayer Leverkusenit, pasi është i fokusuar te projekti i Comos. Megjithatë, ëndrra për të drejtuar një klub të madh mbetet e hapur. Sipas raportimeve, Barcelona shihet si një destinacion veçanërisht interesant për të ardhmen, ndërsa Fabregas vazhdon të ndërtojë reputacionin e tij si një prej trajnerëve më të spikatur të brezit të ri. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/