Diskutimet mbi më të mirët në botën e futbollit janë të hershme dhe vazhdojnë të jenë prezente edhe sot e kësaj dite. Rreth kësaj teme janë vërtitur shpesh emrat e Ronaldos dhe Mesit, për të cilët të gjithë bien në mendimin se janë ndër më të mirët që ka parë ky sport dhe gjurmët e tyre zor se do të fshihen nga historia e futbollit.
Nuk është nevoja të arsyetosh shumë, pasi statistikat flasin vetë. Të dy lojtarët kanë bërë në fushë atë që pak të tjerë mund ta bëjnë. Madje nëse vërehet lista e golashënuesëve të Uefa Champions League nga viti 2003-2019, mund të kuptohet fare qartë përse portugezi dhe argjentinasi cilësohen si të pakonkurueshëm.
Në vitin 2003 listën e 10 golashënuesëve më të mirë e kryesonte sulmuesi madrilen Raul, me 44 gola në emrin e tij. Spanjolli arrin të mbajë emrin e tij në krye për disa vite, por hapat me të cilët ecën janë të ngadaltë, duke arritur vetëm në 71 gola të shënuar në 2012.
Ndërkohë, gjithçka është ndryshe për ata që sot konsiderohen më të mirët në botë, teksa që në momentin kur kanë hyrë në listën e golashënuesëve më të mirë kanë hedhur hapa gjigant përpara, duke mbartur me vete shifra të frikshme golash. Argjentinasit dhe portugezit u janë dashur vetëm pak vite për të udhëhequr listën e golashënuesëve dhe për të dominuar më pas gjithçka. Nga viti 2013 e deri më tani, lojtarët kanë pasur konkurent vetëm njëri – tjetrin dhe kanë arritur në shifrat e 126 golave për Ronaldon dhe 112 të tillë për Mesin./Sport Ekspres/