Dikush me ironi do të komentojë “Na marrtë lumi, ne dhe futbollin tonë profesionist!”.
Ddo të ketë plotësisht të drejtë, duke lexuar përditë lajme qesharake, që zhvlerësojnë punën e bërë nga disa klube dhe hedhin baltë mbi gjithë futbollin tonë. Nuk është vetëm faji i gazetarëve,e dhe pse kemi shumë mëkate edhe ne, por si mund të mos raportohen dhe të mos komentohen me nota të zeza shumë lajme në Shqipëri? I fundit: Vllaznia ka disa javë pa stadium dhe Vllaznia-Lushnja nuk do të luhet në “Loro Boriçi”.
Arsyeja është mbjellja e barit dhe na qenka një procedurë kaq e gjatë dhe e ndërlikuar, aq sa bën çorbë kampionatin, çon Vllazninë në Korçë dhe krijon polemika absurde, të tipit “Vllaznia është aleate e Skënderbeut”, edhe pse ai që e thotë (presidenti i Kukësit, Safet Gjici, për ata që nuk e dinë), ndoshta e nuk e sheh renditjen nga fundi dhe nuk e kupton që Vllaznia është në pikë të hallit dhe as që i shkon mendja që të bëjë aleanca në nëntor, sidomos me Skënderbeun, që nuk të fal asnjë pikë.
Specialistët e barit (jo atij që pihet), pasi e kanë inspektuar fushën, kanë dalë në përfundimin se tapeti i këtij stadiumi ende nuk është gati për ndeshje. Për këtë arsye, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar klubin shkodran për këtë çështje dhe tashmë duhet gjetur stadium.
Në një prej ndeshjeve më të rëndësishme në këtë periudhë, Vllaznia detyrohet të shtegtojë në fushë asnjëanëse, ndërsa nuk bëhet fjalë për të luajtur në Lushnje ndaj një rivali direkt në renditje. Për shtyrje ndeshjeje nuk bëhet fjalë, gjithashtu, sepse në atë mënyrë do të krijohej një skandal i ri.
Tani pyetja e vetme është: ku dreqin e blejnë barin për fushën dhe si ka mundësi që një herë në pak muaj u dashka mbjellë bari? Po në Laç, ku prej një dekade luhet për qejf, pse nuk e kishim mbyllur kurrë deri sivjet stadiumin dhe vetëm një ndeshje e mbyllën, duke luajtur në Krujë? Po në kampionatet e huaj, a thua i mbyllin stadiumet 3-4 javë derisa t’i teket barit të bëhet jeshil?
Fusha ku luan kombëtarja shqiptare, në stadium modern që ka kushtuar miliona e miliona euro, jo shaka!