“Kjo mendohet vetëm në Shqipëri”/ E para arbitre shqiptare me stemën e FIFA-s: Jashtë nuk bëjnë komente seksiste

Emanuela Rusta është e para arbitre femër shqiptare e cila ka stemën e FIFA-s dhe gjithmonë e më tepër po i jepet besim në ndeshjet e futbollit shqiptar. Në ndeshjet derbi mes Tiranës dhe Partizanit ka qenë në ekipin e gjyqtarëve që kanë drejtuar takimin, por vetë Rusta nuk është e kënaqur me mënyrën sesi komentohet gjerësisht.

Më tepër duke u përmendur për linjat e saj dhe bukurinë që e karakterizon sesa për profesionalizmin. Kjo e bezdis së tepërmi dhe e ka thënë në emisionin “Wake Up” që transmetohet në “Top Channel” për të bërë diferencën për mënyrën sesi komentohet jashtë Shqipërisë, atje ku nuk vjen përdorimi i gjuhës seksiste.

“Të qënurit tërheqëse a të ndihmon në karrierë? Jo, nuk e shoh kështu. Nëse kjo mendohet vetëm në Shqipëri (pjesa seksiste), nuk ndodh jashtë. Sigurisht që e bukura vlerësohet, por ti kur futesh dhe konkurron me 40 femra të tjera nuk do të shohin bukurinë. Ata janë të fokusuar te pjesa e punës, të bëjnë testime dhe nuk kalon se je e bukur apo më pak e bukur.

Mua nuk më pëlqen kjo pjesë se më shumë fokusohen këtu se te profesionalizmi. Duhet të fokusohen më tjetër te profesionalizmi im. Sigurisht që lehtëson punën kur je në fushë dhe je një femër tërheqëse, por nga ana tjetër nuk duhet të ngelet këtu, që ka marrë vendin e punës se është një femër e bukur dhe kaq. Lehtësia e punës vjen pasi lojtari stepet kur sheh një femër, ndërsa me një arbitër mashkull nxehen gjakrat”, u shpreh Rusta. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *