Specia ka marrë sot një fitore mjaft të rëndësishme. Ekipi ligurian ka mposhtur 2-0 një kundërshtar të drejtpërdrejtë në objektivin e shpëtimit nga rënia nga kategoria, siç është Kaljari. Protagonist në fushë ishte edhe Rei Manaj, i cili hyri nga stoli për të shënuar golin e dytë të sfidës. Pas përfundimit të ndeshjes, sulmuesi shqiptar ka folur për mikrofonin e “DAZN”, ku shprehet se fitorja e sotme mbart me vete vlerën e 9 pikëve.
“Një ndeshje e shumëpritur pas 4 humbjeve. Ishte e nevojshme të shënonim pikë në shtëpi kundër një rivali (të drejtpërdrejtë). Kjo fitore vlen nëntë pikë dhe tashmë duhet të mendojmë për fitoren e radhës. Skuadra ishte e mirë, shfrytëzuam rastin dhe e rëndësishme është të fitonim. Ky grup beson gjithmonë në të (mbijetesë) dhe është i bashkuar drejt objektivit. Është e mrekullueshme të festosh para tifozëve tanë. Ne u jemi mirënjohës atyre që na kanë mbështetur gjithmonë, ne jemi gjithmonë të gatshëm t’u japim 100% atyre. Klasifikimi? Duhet të marrim më shumë pikë për t’u ngjitur sa më shpejt”, është shprehur Rei Manaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/