Partizani i këtij sezoni është për zemra të forta! Të kuqtë arritën që të fitonin një ndeshje dramatike ndaj Skënderbeut duke shkuar në kuotën e 15 pikëve. Goli i parë do të vinte nga Rapaj në minutën e 14. Mesfushori realizoi një silurë nga distanca duke shtangur portierin e korçarëve. Padyshim që goli në fjalë ishte më i bukuri në karrierën e Rapajt. Por festa zgjati fare pak, pasi vetëm 5 minuta më vonë ishte Mensah që barazoi rezultatin.
Skënderbeu protestoi jo pak për një gol të anuluar në minutën e 63, atje ku arbitri dhe VAR vendosën se topi ishte prekur me dorë para se të shkonte në rrjetë. Megjithatë korçarët kishin mundësinë e artë të barazimit në minutën e 83 me anë të penalltisë, por Meksi u neutralizua nga Teqja. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Memelli (Skënderbeu): “Goli i anulluar? Topi e ka kapur në kurriz. Nuk e ka prekur me dorë, sepse kjo pamja ku e ndaloni ju topi nuk ka shkuar akoma te lojtari. Arbitri e ka anulluar këtë gol direkt pa marrë një sinjal nga VAR-i. Mua lojtari më ka thënë në dhomën e zhveshjes që nuk e ka kapur fare topin me dorë. Po diskutuam për bërrylin, atëherë duhet të më thoni që edhe prekja me dorë e Asion Dajës në Kamëz ishte penallti dhe nuk u dha. Mungon një karton i kuq për Partizanin te rasti i penalltisë. Kjo është një estradë. Qahen për arbitra këta.
Më jepni dhe golin e Partizanit se kush merr pjesë në aksion. A merr pjesë në aksion Musta? Merr sepse ka ulur kokën. Nejse, rasti më flagrant është ajo që lojtari i Partizanit nuk është ndëshkuar me karton të kuq te penalltia dhe topi që kap në ije Zhan Viktorin. Imagjinojeni nëse këto bëhen në “Air Albania“ çfarë mund të bëhet në fushat e tjera. Ajo çfarë kam sot për skuadrën është vetëm fjalë të mëdha. Shënuam, humbëm një penallti tjetër sot. Ajo çka më jep siguri dhe besim te puna është performanca. Sot kishim ardhur për të marrë maksimumin dhe bëmë maksimumin. Nuk kam asnjë pishman. Do dukem si qarraman të qahem javë për javë. Këta janë 8 veta, qarkullojnë nga një ndeshje në tjetrën. Duket qartë që jemi të penalizuar”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/