Partizani është ende në kërkim të golit dhe fitores në muajin dhjetor. Sulmi i të kuqve po çalon dhe në ndeshjet e fundit nuk po bindin me lojën e zhvilluar. Daja theksoi në një prononcim për emisionin “Gol pas goli” në “Supersport”, se në skuadrën e tij ka lojtarë që luajnë vetëm kur kanë topin në këmbët e tyre dhe nuk luftojnë për të. Gjithashtu bëri të qartë se askush nuk e ka vendin e sigurt në formacion, duke dërguar një mesazh të koduar pë rata lojtarë që kanë një emër në skuadrën e kuqe.
Në të njëjtën linjë mendimi shkon edhe një ikonë e këtij klubi, Edmond Dosti. Ish-sulmuesi i njohur ka reaguar përmes rrjetit të tij social në “Facebook” mbi situatën në të cilën gjendet Parizani kohët e fundit. Sipas Dostit, ky klub është më shumë se sa thjesht një individ dhe kërkon që të gjithë të japin maksimumin në fushë.
“Kjo bluzë është më e rëndësishme se çdo lojtar mercenar që vjen dhe iken, futbolli do zemrën në fushë dhe jo justifikime. Jam dakort me Dajën, kush nuk jep maksimumin në lojë mund të largohet kushdo lojtar qoftë. Ka lojtarë nga akademia që japin zemrën në fushë për Partizanin. Partizani është më shumë se një individ”, shkruan Edmond Dosti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/