Juventusi fitoi treofeun e Kupës së Italisë në finalen e mbrëmshme kundër Atalantës. Pjesa e parë përfundoi në baraspeshë 1-1, ndërsa në të dytën bardhezinjtë gjetën golin e fitores. Kapiteni Kielini ka bërë një paralelizëm me finalen e humbur 4-1 kundër Realit të Madridit në Kardif.
Lidhur me këtë krahasim, ka folur edhe gazetari italian, Tankredi Palmeri. Në një intervistë për “TMW Radio” ai shprehet se ky paralelizëm kujton, por me humor thotë se nuk është në dijeni nëse Gjimshiti ka goditur Pesinën, duke kujtuar kështu atë moment kur në pushimin mes pjesëve në Kardif Bonuçi do të gjuante me shuplakë Paulo Dibalën.
“Analizat e Kielinit duhet të dëgjohen gjithmonë. Unë nuk e di nëse Gjimshiti goditi me shpullë Pesinën në pushimin mes pjesëve (qesh). Por mund të jetë, Atalanta u prish në pjesën e dytë pas barazimit në fund të pjesës së parë. Si Juventusi kundër Realit, pasi gjeti 1-1 para pushimit”, ka thënë Tankredi Palmeri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/