“Këtu kisha Uzunin, më tregonte çdo gjë”, Enis Cokaj tregon ëndrrën: Punoj për Kombëtaren, i gëzohem krahasimeve me Abrashin

Enis Cokaj është një prej lojtarëve shqiptarë që kontribuoi në suksesin e Lokomotivës së Zagrebit. Mesfushori i talentuar po bën mjaft mirë në Kroaci, ku tashmë do të ketë mundësinë të luajë edhe në kualifikueset e Champions League. Në një intervistë për “Fax Sport”, Cokaj ka treguar më tepër për karrierën e tij, duke u ndalur edhe te mënyra se si është pritur në Kroaci.

Vetë futbollisti pranon se Uzuni dhe Kastrati kanë qenë një mbështetje e madhe për të, teksa ia kanë bërë shumë më të lehtë përshtatjen. Ndërkohë ëndrra e tij më e madhe është të marrë një ftesë nga Kombëtarja e Edi Rejas, gjë për të cilën është duke punuar.

“Në fillim nuk e besonim se mund të arrinim në vendin e dytë, kemi luftuar për Europë. Por ndeshjet e mira na kanë dhënë besimin që mund të kapnim vendin e dytë dhe ja ku jemi. Në këtu na trajtojnë shumë mirë. Ndihemi si të luajmë në Shqipëri, si të luajmë në shtëpinë tonë. Kemi edhe lojtarë me eksperiencë që na mësojnë shumë dhe na përkrahin.

Kapo i Bandës pas largimit të Uzunit? Duhet të bëjmë zgjedhje. Me shumë mundësi do të jem këtu edhe për një sezon tjetër. Ka pasur interesime, por oferta konkrete nuk ka pasur. Besoj se Seria A më përshtatet më shumë.

Si çdo lojtar i ri që vjen në një ekip më pritën shumë mirë. Këtu kisha edhe Uzunin me Kastratin që më mbështesnin dhe më tregonin çdo gjë, çfarë duhet të bëja, si duhet të sillesha. U përshtata shumë shpejt. Ka qenë një ndihmë shumë e madhe për mua dhe për të gjithë çunat e tjerë që kemi pasur edhe shqiptarë të tjerë aty.

Të them të drejtën nuk kam pasur kontakte me trajnerin Reja. Po punoj shumë që të meritoj një ftesë me Kombëtaren. Mua më mbetet vetëm të bëj stërvitje, pastaj herët apo vonë ftesa do të vijë. Të veshësh fanellën kuqezi është ndjenja më e veçantë në botë. Më vjen mirë që kam krahasime me lojtarë të tillë si Abrashi, pasi ka qenë një lojtar kyç i Kombëtares shqiptare. Ëndrra ime është të luaj me Kombëtaren“, është shprehur Enis Cokaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *