“Këtu kanë respekt për shqiptarët“, Krymi flet si kampion në Bjellorusi: Zyrtarët e UEFA-s na thanë se Shqipëria është rritur shumë

Ardit Krymi ka fituar trofeun e tij të parë në Bjellorusi. Ish-futbollisti i Vllaznisë u shpall kampion me ekipin e Shakhtyor Solygorsk-it, ku është shok skuadra me një tjetër shqiptar, Valon Ahmedin. Në një intervistë për “Analizë Kuq e Zi“, Krymi ka treguar më shumë rreth eksperiencës së tij të parë jashtë Shqipërisë. Lojtari 26-vjeçar tregon se në Bjellorusi kanë respekt për futbollistët shqiptarë, ndërsa shton se vetë zyrtarët e UEFA-s i kanë thënë se futbolli në Shqipëri është rritur ndjeshëm në aspektin e infrastrukturës.

“Ndihem shumë mirë që u shpalla kampion. Këtu luan edhe Valon Ahmedi, një tjetër lojtar shqiptar. Këtu punohet shumë fizikisht. Duhet të isha gati në fillim, pasi ishin dy ndeshjet e Champions League ndaj Mariborit. Nuk i luajmë ndeshjet në stadiumin tonë, nuk na shkoi mirë, u donte të bënim më tepër, por shpresoj që herën tjetër të bëjmë më mirë në Europë. Soligorski ishte favoriti kryesor për titullin. Këtu vijnë lojtarët më të mirë. Jemi 9 lojtarë të huaj, por mund të luajnë vetëm 4, kështu që kemi bërë një punë të madhe. Elis Bakaj më ka ndihmuar, pasi ai ka luajtur më parë këtu.

Gjashtë muajt e parë janë për t’u ambientuar me ekipin dhe stërvitjet. Kam edhe dy vite kontratë, drejtuesit kanë besim tek unë. Besoj se pas janarit do të shkojë çdo gjë më mirë për mua. Kemi edhe një ndeshje Kupe, luajmë ndaj Ischias më 26 nëntor, më pas do jemi pushim për t’u bashkuar me ekipin me 10 janar. Do nisim përgatitjet për finalen e Superkupës së Bjellorusisë. Kanë respekt të veçantë për shqiptarët këtu, përveç Valonit ka luajtur edhe Elisi (Bakaj). I thashë Valonit se pse nuk morëm një flamur shqiptar në festën e titullit.

Kombëtarja? Çdokush ka qejf të jetë në Kombëtare. Kam dhënë gjithçka gjatë 8 viteve te Vllaznia. Kam dhënë shumë, ata janë ekipi i zemrës dhe familja ime. Kisha nevojë për një ndryshim, mora vendimin e duhur. Më erdhi pak keq, por më vjen mirë për tre lojtarët e Vllaznisë që u grumbulluan me kuqezinjtë. Nuk besoj se klubi do më kishte dhënë lejen, pasi kishim ndeshje të rëndësishme. Vllaznia? E kam ndjekur nga java e parë deri te sfida ndaj Tiranës. Luajtën mirë, ekipi pati rastet e veta. Flas përditë, lojtarët e Vllaznisë janë si vëllezërit e mi, kam besim se do dalin kampion. Nuk harroj as tifozët e mrekullueshëm shkodranë. E uroj me gjithë shpirt që Vllaznia të shpallet kampione. Ka lojtarë me cilësi dhe eksperiencë. Duke pasur një tifoz të pastër si unë, kam besim se do ia dalë.

Shakhtyori trampolinë? Kanë përfunduar vetëm gjashtë muajt e parë. Unë duhet të punoj fort. Klubi është i fuqishëm, ka reputacion dhe mendoj se do më ndihmojë shumë për të ardhmen. Është shumë ftohtë, prandaj përdorin më tepër fushat artificiale, sidomos nga janari deri në maj, por edhe stadiumet janë si mini-stadiume. Infrastruktura e stadiumeve është më e mirë në Shqipëri. Edhe zyrtarët e UEFA-s na thanë: Shqipëria është rritur shumë, në infrastrukturë dhe stadiume”, përfundoi mesfushori shkodran“, ka thënë Ardit Krymi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *