“Këtu ka trajnerë marangozë”! Faruk Sejdini flet hapur dhe teori tjetër nga Ilir Daja: Të lë fiziku dhe rritet inteligjenca, do thonë ia dhanë Tiranës

Nga Klaudio Ndreca

Në ditët e fundit diskutimi më i zjarrtë në futbollin shqiptar është rinisja e kampionateve. Ashtu siç edhe pritej, specialistët dhe trajnerët janë ndarë në dy grupime të ndryshme. Tekniku i Skënderbeut, Ilir Daja, bëri një krahasim të thjeshtë për të kuptuar se çfarë na pret në rifillim: “Ne i lëmë lojtarët pushim në festat e fundvitit, nga data 25 dhjetor në 4 janar. Ata shkojnë për të festuar dhe kur kthehen e shohim që u duhen më tepër se 2 javë që të kthehen në formë. Po tani që janë shkëputur trefishin e kësaj kohe dhe janë të ndikuar psikologjikisht nga pandemia?”.

Një tjetër figurë e sportit në Shqipëri, Faruk Sejdini ka dhënë teorinë e tij për rifillimin e futbollit në “Fax Sport”. Aty thuhet pikësëpari se nëse futbolli lihet për 1 ditë, atëherë të lë për 1 javë. E nëse e lë futbollin për 1 javë, atëherë të lë për një muaj.

Pra deri këtu është i njëjti këndvështrim me Dajën, por ndryshon teksa shprehet se tani do të rritet më tepër inteligjenca e lojtarëve, që të bëjnë punën e tyre pa vrapuar shumë dhe duke qenë më të saktë. Faruku mendon se nëse Tirana do të shpallet kampion në letër, do të jetë një histori që do të pasohet në histori me arsyetimet artificiale të vazhdueshme të shqiptarëve. E teksa cek atë që i mungon futbollit shqiptar, kërkon shtimin e fushave për të rinjtë dhe trajnerë të specalizuar dhe jo “marangozë”.

“Rifillim i futbollit? Shikoni, çdo ekuacion e ka një zgjidhje. Edhe një ekuacion me dy apo tre të panjohura e ka një zgjidhje. Ajo që ka paraqitur FSHF është një zgjidhje optimale, është si ta quajmë ndryshe simbol lirie për futbollin.

Shikoni, futbolli ka një teori të shkruar apo të pashkruar. Kur ti e lë një ditë futbollin, ai të lë një javë. Kur ti e lë një javë futbollin ai të lë një muaj. Pra jemi të ndërgjegjshëm se kjo periudhë ka çeduar te lojtarët.

Unë do të thoja që kampionati pavarësisht datës 3, 7 apo 14 qershor, teorikisht duhet të mbarojë. Duhet të mos jetë një kampionat që të mbyllet në letër. Është një gjë interesante në futboll, kur të lënë këmbët rritet intelegjenca. Një lojtar që është 34 vjeç nuk mund të vrapojë, por përdor intelegjincën.

Kjo është si puna e një njeriu me të meta: “Nuk shikon, por i rritet ndjeshmëria e duarve”. Dhe futbollisti do t’i mungojnë ana fizike, nuk do të vrapojë shumë, por do të rritet pasimi i saktë dhe do bëhet më e bukur.

Fjalët e Sinan Idrizit që flet hapur kundër nisjes së kampionatit? Shikoni si është problemi, në çdo polemika është njëri që shkakton ilaritet. Unë kam respekt për Sinan Idrizin, por edhe ai vetë nuk arrin dot asgjë. Shihni ato debatet në Itali, por është tjetër kulturë, tjetër mentalitet.

Nuk i plotësojmë dot kushtet si thoni ju, se dy lojtarët do përplasen, dy do të shtrihen, dy do të pështyjnë. Kjo mua më duket utopike, si të shkojë njeriu në mars. 5 zëvendësime? Na e kthyen futbollin si basketboll. Ndërron gjysmën e ekipit duke hequr pesë dhe duke futur pesë të tjerë. A e kuptoni apo jo? Por gjithsesi hajde se po e pranojmë si zgjidhje emergjente.

Tirana duhet ta marrë kampionatin në fushë dhe jo në tavolinë. Ajo e ka një provë që do ta kalojë në fushë, se 9 ndeshje janë. Vetëm se do të mbahet mend dhe do nisin ato historitë tona në letër, që jo e mori Berati, e mori Tirana, jo ia dhanë, jo e mori Dinamo, jo Partizani. Kështu do të mbahet mend, por gjithçka do të ishte artificiale, jo reale.

Çfarë mungon në futbollin shqiptar? E doni që t’jua them ashtu si e mendoj apo artificale? Atëherë unë e kam bindje që ne jemi parcelë e futbollit të rendimenteve të larta. Këtë mund t’ua shpjegoj me hollësi. Në futbollin shqiptar mungon mbështetja e kësaj parcele. Duhen bërë më tepër fusha, pastaj kemi trajnerë që është këpuctar, një marangoz, një tjetër ka një truall që ia ka lënë babai dhe merr lojtarë për t’i stërvitur”, e ka mbyllur Sejdini. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *