Maqedonia e Veriut bëri një arritje të jashtëzakonshme, teksa për herë të parë në historinë e saj preku fazën “play off” për tu kualifikuar në Botëror. Gëzimi dhe buzëqeshja në fytyrat e lojtarëve vinin natyrshëm pas këtij suksesi, që u festua nga ekipi si të kishte arritur Parajsën. Por nuk kalon shumë kohë për të zbritur sërish me këmbë në tokë për të kuptuar se në të vërtetë në “play off” i pret “ferri”.
Këtë herë nuk do të kenë përballë Kosovën apo Gjeorgjinë për të prerë një biletë për në Katar, por disa prej Kombëtareve më të mëdha të Europës. E para që tremb në listë është pikërisht kampiona e Europës, Italia, e cila e mbylli grupin në vendin e dytë. Më tej gjendet edhe Ronaldo me Portugalinë e tij dhe Suedia e Ibrahimoviçit.
Ndërkohë Kombëtare të tjera që do të jenë kundërshtar të mundshëm të Maqedonisë së Veriut janë Rusia, Skocia dhe një mes Uellsit, Polonisë dhe vendit të dytë në grupin e Turqisë. Emra këta padyshim më të mëdhenj në letër se Maqedonia e Veriut, e cila për fat të keq nuk do të ketë vetëm një kundërshtar në këtë fazë, por 3 të tillë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/