Erion Bogdani ka dhënë një intervistë për portalin italian, “tuttojuve.com”. Ish-bomberi i Kombëtares shqiptare ka folur për kampionatin ku ka luajtur përgjatë karrierës së tij, Serie A. Bogdani është pyetur në lidhje me precedentin që hapi aq shumë polemika përtej Adriatikut, teksa Juventusi zbriti në fushën e lojës, pavarësisht se ishte informuar mbi faktin se Napoli nuk do të udhëtonte drejt Torinos.
Ish-sulmuesi shqiptar vendos shëndetin mbi gjithçka, por gjithnjë duke u kujdesur që të mos ndryshohet kampionati. Më tej Bogdani ka shënë edhe mendimin e tij në lidhje me uljen e Andra Pirlos në krye të pankinës bardhezi. Të dy njihen që para shumë vitesh me njëri-tjetrin, teksa në sezonin 1999-2000 kanë qenë pjesë e skuadrës së Rexhinës.
Juventus-Napoli
“Unë kam luajtur futboll dhe tani jam një trajner. Më vjen keq që Juventus-Napoli nuk u zhvillua, padyshim gjithmonë duke vënë përpara shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve, për të cilin duhet të mendoni gjithmonë së pari. Le të shpresojmë se tani nuk do të krijojë një situatë ku disa njerëz luajnë ndeshje të caktuara, të tjerët i kalojnë ato, ndërsa disa të tjerë i shtyjnë ato … Kështu do të shkonim drejt ndryshimit të kampionatit”.
Ekipi që e ka befasuar
“Atalanta: ata janë forcuar shumë! Dhe boshti i fortë ka mbetur”.
Juventusi
“Është shumë e komplikuar të flasësh për këtë, për faktin se ka luajtur vetëm dy ndeshje. Kundër Sampdorias më bindi, por kundër Romës duhet thënë se për 65 minuta verdhekuqtë e kishin merituar qartë fitoren. Sipas mendimit tim duhet të presim për të gjykuar: Juve është një ekip në ndërtim e sipër, të panjohurat janë të ndryshme ”.
Pirlo
“Po, zgjedhje shumë e duhur. Andrea është një person inteligjent, brenda dhe jashtë fushe. Unë mendoj se ka të gjitha kushtet për të bërë mirë”, ka thënë Erjon Bogdani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/