Drejtori teknik komenton garën: Nuk më duket normale që kavajasit në Pukë luajnë me titullarët dhe në Burrel shkojnë me të rinjtë. Do mbijetojmë me forcat tona
Në javët e fundit sidomos në kategoritë e ulëta dihet që aleancat dhe kompromiset dëmtojnë direkt apo indirekt skuadrat. Mirëpo, ajo që bie në sy është lufta sportive në Grupin A, sidomos në ekipet që luftojnë për mbijetesë. Kur duhen edhe tre javë kalendarike që të mbyllet sezoni, nuk dihet ende se kush nga pesë skuadrat mbijeton e kush bie. Një ndër ekipet në këtë garë të ethshme, Tërbuni, është një nga skuadrat simpatike që prodhon futboll të bukur, jo vetëm në fushën e vete por edhe në transfertë. Edhe pse ndërtuan një ekip simpatik me pretendime më të mëdha, në Pukë u duhet që tashmë të luftojnë për mbijetesë, por shanset për sukses duken të mëdha. Drejtori teknik i pukjanëve, Oltion Kërnaja, në një prononcim për “Sport Ekspres”, para ndeshjes me Burrelin ka pohuar: “Përveç fitores, nuk ka llogari të tjera për ne. Tërbuni po stërvitet me optimizëm, luan tre finale, por e gjithë vëmendja është tek ndeshja e radhës me matjanët, ku luajmë vetëm për të fituar. Për momentin, na intereson vetëm ecuria jonë, nuk na hyjnë në punë rezultatet e skuadrave të tjera të grupit. Këtë sezon kemi parë vetëm punën tonë dhe kështu do të jemi deri në javën e fundit. Na kthehet edhe Balaj në 100% të formës së vet, kështu që skuadra është top”.
ALEANCAT – I pyetur, se sa u trembet aleancave që shfaqen papritmas dhe shumë skuadra i bëjnë llogaritë në tavolinë dhe jo në fushën e lojës, Kërnaja deklaron: “Tërbuni nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e aleancave. Do të luajmë futboll të pastër sepse kështu jemi mësuar dhe me këtë mentalitet e përgatisim edhe skuadrën. Kemi marrë pikë jashtë fushës sonë, si në Burrel, ashtu edhe në Dibër. Besa me disa të rinj në fushë në Burrel? Besa i bën vetë llogaritë e saj, por mua nuk më duket logjike. Në Pukë vijnë e luajnë futboll, ndërsa në Burrel shkojnë me të rinjtë! Imagjinoni, as vetë nuk e kanë siguruar mbijetesën. Nuk e kuptoj as vetë se ku e gjejnë këtë besim të tepruar, apo ndoshta e llogarisin me 3 pikë në “xhep” ndeshjen e radhës?!”, – tha Kërnaja në fund të prononcimit.