Mesfushori dhe menaxheri i tij janë takuar me presidentin Safet Gjici, për të diskutuar për vendimin e njëanshëm të klubit. Asnjë përfundim pozitiv, tashmë çështja mund të marrë përmasa serioze
Milosh Kërkotiç ishte një goditje në limitet e merkatos verore për Kukësin dhe u konsiderua një prëforcim serioz, duke parë edhe CV-në e mesfushorit malazez, që ka qenë pjesë e kombëtares së Malit të Zi, përveçse ka luajtur në shumë klube, nga Mali i Zi, deri në Moldavi e Serbi. Megjithatë, ndonëse luajti më shumë se 1000 minuta në pjesën e parë të kampionatit për Kukësin, mesfushori është nxjerrë jashtë skuadre pas humbjes ndaj Luftëtarit dhe së bashku me Meminin dhe Shtubinën nuk është në planet e klubit në vazhdim. Shtubina ka pranuar gjithçka qetësisht, Memini nuk është prononcuar fare, ndërsa Kërkotiç nuk ka ndërmend të largohet kokulur, për disa arsye.
DISIPLINA – Kukësi pretendon se Kërkotiç ka shkelur disiplinën dhe kjo është arsyeja pse mesfushori nga Mali i Zi duhet të largohet para përfundimit të kontratës. Diçka e tillë nuk pranohet nga Kërkotiç, i cili refuzon pretekstin e nxjerrë nga Kukësi dhe pretendon se nuk ka pasur asnjë problem me trajnerin apo shokët e skuadrës.
PAGA – Kërkotiç ka pasur një pagë prej 3500 eurosh në Kukës, por sipas menaxherit të tij, nga 4 muaj që i takonin deri në dhjetor, është paguar vetëm 2 muaj, edhe ata jo të plotë, pasi skuadra mori gjoba për paraqitje të dobët, sipas klubit. Tani Kukësi i ka ofruar Kërkotiçit të qëndrojë me përgjysmim page, ofertë e refuzuar prerë.
DY KLUBE TË DJEGUR – Kërkotiç luajti për Mladostin e Podgoricës deri në fund të gushtit dhe pastaj kaloi te Kukësi. Natyrisht, për një hap përpara në karrierë dhe për të ardhura më të mira, por tashmë mbetet pa punë, nëse e largon Kukësi. Sipas rregullores, Kërkotiç mund të kthehet te Mladosti, ose të qëndrojë pushim deri në verë, pasi është regjistruar në dy klube brenda një sezoni. Zgjidhja e vetme: të gjejë skuadër nga kampionati i Kazakistanit, Bjellorusisë, Moldavisë, Irlandës, Islandës, Letonisë, Lituanisë, Estonisë, Ishujve Faroe, Finlandës, Norvegjisë ose Suedisë, që nisin në vitin 2018.
ZGJIDHJA – Kërkotiç do të paraqitet në Federatën Shqiptare të Futbollit, për të bërë ankesë zyrtare, pasi ndërperja e kontratës është e njëanshme. Nëse aty, për çfarëdolloj arsyeje, nuk do të gjendet e drejta, si shpesh në të shkuarën, Kërkotiç dhe agjenti i tij do të drejtohet në UEFA e FIFA. Synimi i mesfushorit është të luajë futboll, pasi përndryshe i shkatërrohet CV-ja, por nëse Kukësi kërkon ta heqë qafe me çdo kusht, gjyqi është rruga e vetme për të fituar të drejtën e vet, ekonomikisht dhe moralisht.