Tefik Osmani është i ftuar në emisionin “Pressing” që transmetohet në “Abc News”. Drejtori i bardhebluve ka folur me tone të ashpra dhe ka hedhur dorashkat kur flitet për personin përgjegjës që solli edhe bllokimin e merkatos te kryeqytetasit. Sipas Osmanit nëse do të ishte një tjetër skuadër, atëherë do të kalonte nga lufta për titullin kampion në luftën për mbijetesë.
“Bllokimi i merkatos? Po ta kishte një klub tjetër atë gjobë, do të mbante ata lojtarë dhe nga për titull mund të llogariste edhe qëndrimin në kategori. Person përgjegjës? Po të jetë burrë del dhe kërkon falje. Mund të dalë dhe të thotë që unë kam gabuar”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë tema më e përsëritur është ajo për Ernest Muçin. Por edhe njëherë tjetër konfirmohet se presidenti Halili e sheh talentin bardheblu si një thesar dhe nuk ka ndërmend që ta shesë për shifra të ulëta. “Shitja e Muçit? Ka pasur oferta, edhe mund të jenë të vërteta shifrat që dalin në media. Presidenti nuk i pranon ato shifra. Shumë shpejt mund të ketë ndonjë ofertë më të mirë”, u shpreh Osmani. /Sport Ekspres/