FSHF-ja ka organizuar sot mbrëmjen gala “Më të mirët 2023”. Një event që shërben për të nderuar ata që kanë qenë më të mirët në sportin e futbollit në këtë vit kalendarik. Të ftuar në këtë ngjarje janë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, kreu i FFK-së, Xhanluka Xambrota, e shumë ish-lojtarë që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe Aleksandër Ceferini përmes një video-mesazhi. Presidenti i UEFA-s ka vlerësuar rritjen e futbollit në vendin tonë, si dhe aftësinë e FSHF-së për të organizuar kompeticione të UEFA-s.
“Të dashur miq, të dashur të futbollit dhe miku im i dashur Armand! Nëse ndaleni për një moment dhe reflektoni për vitin që po lëmë pas, keni çdo arsye për t’u ndjerë krenarë për veten tuaj. Futbolli në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta, me disa arritje të jashtëzakonshme që flasin shumë. Investimet e mençura në infrastrukturën e futbollit po japin rezultate, ashtu si puna e palodhur, vizioni i qartë dhe respekti për futbollin dhe vlerat e tij thelbësore. Kombëtarja shqiptare bëri një fushatë të jashtëzakonshme kualifikuese për në Euro, duke u renditur në krye të grupit përpara Polonisë dhe Republikës Çeke.
Dua të përgëzoj ekipin tuaj për të gjithë punën e mirë dhe që i bëri tifozët e tyre shumë krenarë. Ju uroj sa më shumë fat në Gjermani në verën e ardhshme. Jam gjithashtu i kënaqur të shoh rritjen e vazhdueshme të futbollit të vajzave. Rezultatet solide, si në nivel klubesh, ashtu edhe me ekipet kombëtare, tregojnë se jeni në rrugën e duhur. Federata Shqiptare e Futbollit është bërë gjithashtu një organizatore shumë e mirë, duke mirëpritur mbi 10 turne kualifikues të UEFA-s në të gjitha nivelet e moshave. Nuk kam asnjë dyshim se turneu Euro U17 në vitin 2025 do të jetë shumë i suksesshëm, ashtu siç ishte finalja e Ligës së Konferencës në vitin 2022. Më lejoni ta mbyll duke ju uruar një vit të ri të mbushur me gëzim, begati dhe suksese, si brenda, edhe jashtë fushës së futbollit. Dhe tani shijoni shfaqjen”, ka deklaruar Aleksandër Ceferini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/