Interi ka mposhtur me rezultatin e ngushtë 1-0 Lajpcigun, duke hedhur një hap të sigurt drejt 8 vendeve të para në renditjen e Ligës së Kampionëve. Simone Inzagi i është gëzuar këtij tre pikëshi, teksa nuk e ka fshehur kënaqësinë në deklaratën e dhënë për mediat pas ndeshjes. Trajneri i Interit ka pranuar se ishte i frikësuar për këtë përballje, por reagimi i zikaltërve i ka lënë një shije tejet pozitive.
“Ka një kënaqësi të madhe, por duhet edhe një hap i vogël për të siguruar 8-she. Leverkuseni është shumë i fortë, më pas janë edhe dy ndeshjet e fundit, të cilat janë të vështira. Mospësimi i asnjë goli është një arsye kënaqësie. Isha shumë i frikësuar për këtë ndeshje, por ekipi im është i matur. Ata e dinin që zero pikët e Lajpcigut nuk janë të vërteta. Fitore e shkëlqyer. Lajpcigu ishte i dyti në Bundesligë, me mbrojtjen më të mirë. Është një skuadër e shkëlqyer. Kemi pësuar vetëm një goditje në portë”, ka thënë Simone Inzagi./Sport Ekspres/