Mirsad Jonuz vijon të respektojë karantinën e vendosur nga shteti shqiptar pas mbërritjes së tij nga Maqedonia e Veriut. Trajneri i Vllaznisë e ndjek situatën e klubit nga shtëpia, ku përcjell edhe analizat dhe idetë e tij te ndihmësit dhe lojtarët. Ditët e fundit kanë sjellë edhe një situatë të tensionuar në Shkodër, ku futbollistët u rebeluan duke bojkotuar stërvitjen për shkak të problemeve me pagat e tyre prej 4 muajsh.
Një problem ky shqetësues për Jonuz, i cili tregon pwr “Supersport“ se nuk ka lindur kohët e fundit por ka qenë prezent prej një kohe të gjatë. Madje zbulon se me dhjetra herë ka bindur lojtarët të mos hyjnë në grevë në të shkuarën. Këtu i tërheq vëmendjen edhe Bashkisë që të mos e shohë këtë klub si politikë, për vetë peshën që ka në histori. Ndërkohë vlerëson administratorin Suad Lici, i cili sipas Jonuz ka mbështetur me financat e veta jo pak herë Vllazninë së bashku me lojtarët, por me buxhet të limituar punë kushtëzohet dhe bëhet e vështirë.
“Më pëlqen t’i them gjërat hapur. Kjo situatë vazhdon prej shumë muajsh. Përgëzoj administratorin Suad Lici, që shumë herë është angazhuar privatisht për të mbështetur financiarisht lojtarët dhe Vllazninë. Nëse do të kishim kishim edhe 2-3 të tjerë kështu do të ishte mirë. Me këtë buxhet është e vështirë të punosh. Ky është një problem që zgjat prej vitesh dhe është e vështirë të punosh kështu. Por ne duhet të përqendrohemi në stërvitje, pasi pas pak ditësh kemi ndeshjen me Flamurtarin.
Më besoni, ndoshta 10 herë kanë ardhur lojtarët të më flasin për grevë dhe ia kam dalë që t’i bind të mos bëhet. Por tani nuk kam më fuqi të flas për këto probleme. Ky ishte vendimi i tyre. Unë i mbështes gjithmonë lojtarët e mi. Problemi është te Bashkia. Ky klub nuk është politikë, është klubi i Shkodrës, duhet ta mbështesim. T’a zgjidhim këtë situatë pasi është e rrezikshme. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet, pasi Vllaznia është jetë për Shkodrën. Një emër i madh i futbollit shqiptar dhe i famshëm për Shqipërinë.
Në futbollin shqiptar gjithçka është e mundur. Skuadra ime luan mirë jashtë dhe tani po punojmë fort pavarësisht disa problemeve me dëmtimet. Shikoj se skuadra është mirë dhe mendoj se do të kemi një fillim të mirë. Është e rëndësishme të fitojmë me Flamurtarin dhe të nisim ngjitjen, pastaj kemi edhe Kupën ku gjithçka është e mundur.
Gjëja e parë që do bëj pas karantinës? Në fillim do dal do pi një kafe me ndihmësit dhe tifozët, me të cilët kam shumë komunikim dhe i respektoj. Pastaj do shkoj menjëherë në stërvitje, do flas me lojtarët dhe do i mbështes në këtë situatë. Do të shoh qytetin, çarshinë, dhe do i rikthehem jetës normale”, ka deklaruar Mirsad Jonuz./Halit Delibashi-Sport Ekspres/