Ezgjan Alioski ka mbërritur në Shkup i lumtur pas fitores së madhe ndaj kampionit të Evropës, Italisë. Mbrojtësi i majtë i Maqedonisë së Veriut u shpreh shumë i kënaqur me ndeshjen në Palermo, por në të njëjtën kohë u shpreh i zhgënjyer që ende nuk është siguruar bileta e shumëdëshiruar në Botëror. Sipas Alioskit, Maqedonia e ka merituar duke mposhtur Gjermaninë dhe më pas Italinë në këto kualifikime.
“Ishte shumë e vështirë në Palermo, por të gjithë besuam në ekipin tonë, në potencialin që kemi. Jemi përpara një sfide të re të vështirë, një duel me Portugalinë. Ne e dimë se kush jemi dhe çfarë mund të bëjmë, tashmë e kemi mundur Gjermaninë dhe Italinë.
Është shumë për të ardhur keq që me dy fitore në më pak se një vit ndaj këtyre dy gjigantëve nuk jemi ende në Kupën e Botës. Ne e kemi të qartë se sa e vështirë do të jetë për ne në Porto, por si më parë, të gjithë së bashku, të bashkuar, do të bëjmë maksimumin dhe do të mundohemi ta bëjmë Maqedoninë të lumtur”, tha Alioski. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/