Kombëtarja shqiptare do të përballet ndaj Francës në transfertën e mbrëmjes së sotme. Një takim më shumë se i vështirë, ku kuqezinjtë do të provojnë shanset e tyre.
I ftuar në “Supersport” për të komentuar këtë ndeshje, është i pranishëm edhe Andi Lila. Ky i fundit ka deklaruar se nuk e ka vendosur ende nëse do të largohet nga Kombëtarja, ndërsa thekson se është ndierë i prekur kur ka parë mesazhin e lamtumirës nga Migjen Basha.
“Largohem nga Kombëtarja? Nuk bëhet në sekondë, është një jetë aty brenda. Më duhet të flas me familjarët e mi, miqtë dhe të marr vendimin. Jam natyrë e fortë, por jam prekur dhe më kanë shkuar lotët kur pashë mesazhin e lamtumirës nga Migjen Basha. Kemi shkruar historinë së bashku. Të gjithë u ka ardhur dita, edhe mua do të më vijë dita për t’u larguar”, ka thënë Lila.
Në një moment ka pasur edhe replikë me ish-trajnerin e Kombëtares, Astrit Haifizi, me këtë të fundit që shprehej: “Ne gjithmonë luajmë me taktikën të kapim çfarë të kapim. Presim ndonjë përgjumje të rivalit. Luajmë badihava”. Aty ka ardhur edhe reagimi i Lilës që shprehet: “Nuk mund të thuash badihava kur kemi mbërritur deri në këto nivele. Ishte strategji e Kombëtares”, ka thënë Lila. /Sport Ekspres/