“Kemi harruar familjet, shqiptarët punojnë me pasion”, Gega i kthen përgjigje Gjicit: Ideja që shqiptarët punojnë pak nuk qendron

Ka përfunduar në barazim 0-0 ndeshja mes Teutës dhe Kukësit. Bledi Shkëmbi nuk mundi të debutonte me fitore në krye të pankinës durrsake, ndërsa në krahun tjetër Kukësi i Skënder Gegës merr pikën e dytë në kampionat. Pas përfundimit të sfidës, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e emisionit “Ti Bo Gol“ në “Oversport“.

Gega (Kukësi): “Futbolli ka rezultatet. Ashtu si erdhi loja, vuajtëm, sepse luajtëm me 10 veta pjesën më të madhe të lojës. Por jam i kënaqur, sepse edhe pse me 10 veta i kryem detyrat. Patëm rastet. Na vjen keq që është ndeshja e katërt që ndëshkohemi në të njëjtën mënyrë. Kjo është e pafalshme. Dy qendërmbrojtës të lirë nuk mund të rrinë. Por ja që ndodh. Unë mërzitem sepse janë vënë në dukje gjatë gjithë kohës këto gabime. Arbitrat janë këta që janë, nuk dua të bëj koment. Patjetër që kam ankesa për ta. Ndëshkoi disa lojtarë të tonët pa të drejtë për mendimin tim. Por kjo gjë kaloi. Jemi të gjithë multikulturë, pavarësisht se njerëzit mund ta marrin si justifikim, dhe në stërvitje nuk kemi pasur asnjë lloj problemi. Duhet të komunikojnë me njëri-tjetërin. Treshja e mesit lëshoi shumë. Na prishi ekuilibrin dalja me të kuq. Pikët e bëjnë që të duket situata jo e qetë. Por ky është futbolli. Në fund fare nuk e besoj se duhet të dilnim pa pikë. Në 90% të rasteve flas anglisht, i kam harruar shqiptarët. Mundohem të flas me ta se çfarë i pret. Duhet ta dinë se futbolli shqiptar nuk është i lehtë. Të huajt duhet të integrohen sa më shpejtë.

Deklarata e Gjicit se trajnerët shqiptarë bëjnë vetëm një orë stërvitje? Nuk besoj se trajnerët kanë të drejtë të korrigjojnë një president për mënyrën si e percepton ai futbollin. Në asnjë moment nuk lejoj njeri që të paktën teknikisht të ndërhyjë te gjërat që mua më takojnë. Gjici nuk ka ndërhyrë ndonjëherë taktikisht. Gjici nuk vjen në stërvitje, sepse është biznesmen. I di parametrat dhe detyrimet e mia. Ideja që shqiptarët punojnë shumë pak nuk qendron. Kam folur edhe me presidentin vetë, por nuk besoj që e ka pasur për mua. Shqiptarët punojnë me pasion, në kushtet që kanë. Jam i hapur me çdo lloj kritike. I kemi harruar familjet, sepse merremi me kaviljet e lojtarëve, me kartonët e kuq. Do i shikojmë gjërat me qetësi dhe pa krijuar mure dhe keqkuptime“.

Shkëmbi (Teuta): “Ndoshta mungoi vetëm goli. Një falenderim për djemtë, sepse bënë maksimumin. U munduan pafund, vrapuan pafund, provuan pafund. Ajo që më kënaqi është që me lojën e zhvilluar ndryshojmë anën psikologjikë. Na ndihmoi kartoni i kuq i Kukësit? Patjetër që po. Të luash në futboll kundër një lojtari më pak, patjetër që të ndihmon. Por nuk u hodhëm në aventurë. Rastet na u paraqitën, por për fat të keq nuk arritëm të shënojmë. Shpresoj që fatin ta kemi në ndeshjet e ardhshme. Kur skuadra vjen nga disa rezultate jo të mira, patjetër që është pak më e kujdesshme. Jo nga trajneri, por edhe vetë lojtarët. Nëse do të kishim shënuar një gol, ndoshta do të flisnim ndryshe. Ndryshimi i veshjes? Më pëlqen të rri me këmishë, por më detyroi arbitri ta ndryshoja. Më ngatërronte anësori me fanellat e bardha të Kukësit“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *