“Kemi grup shumë të fortë”! Alban Bushi flet pas fitores me Bullgarinë: Kjo, baza e Shqipërisë U-21

Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores 3-1 të arritur të martën ndaj Bullgarisë U-21. Kreu i pankinës së kuqezinjve theksoi se kjo miqësore ishte shumë e rëndësishmë për të dhe skuadrën, ndërkohë që tregoi se një pjesë e lojtarëve të rinj që ishin pjesë e grumbullimit e kaluan testin me sukses. Bushi gjithashtu mendon se edhe të tjerët mund të rriten dhe të bëhen pjesë e rëndësishme e Shqipërisë U-21, që bazën për kualifikueset e ardhshme do e ketë nga grupi që ishte në miqësoren me bullgarët.

“Miqësoret janë shumë të rëndësishme, sidomos para ndeshjeve kualifikuese që kemi në shtator me ekipin e Armenisë dhe Rumaninë këtu. Ishte një grup i ri me thënë të drejtën, pasi në krahasim me ndeshjet e kaluara kishim marrë 9 lojtarë të rinj. Nuk dua t’i përmend me emra, i panë të gjithë që ishin 9 të rinj. Ata u përshtatën shumë mirë me ekipin, kjo më pëlqeu.

Një lojtar i Kombëtares kur vjen këtu duhet t’i përshtatet ekipit, sepse është nivel shumë i lartë dhe nuk duhet të marrim lojtarë që duan shumë kohë të përshtaten. Pavarësisht se futbolli do kohën e vet, kur flasim për lojtarë të Kombëtares ata duhet të jenë gati siç ishin këtë herë. Më dhanë përgjigjen e duhur”, tha fillimisht Bushi për fshf.org.

Trajneri i kuqezinjvë më pas tregoi se çfarë i pëlqeu më shumë te skuadra e tij në miqësoren me Bullgarinë U-21: “Kemi një grup shumë të fortë, në kuptimin e asaj që kemi një harmoni, kemi një dëshirë, sakrifikojnë të gjithë për njëri-tjetrin. Kjo është gjëja më e rëndësishme sot në futboll. Sado i mirë të jesh, nëse nuk sakrifikon, nuk lufton, nuk ke dëshirë, është problem i madh shumë. Kjo më pëlqen te skuadra, fryma, dëshira, agresiviteti që kanë ata për të arritur lart”.

A e kaluan testin elementët e rinj që ishin ftuar këtë herë? Bushi jep versionin e tij: “Mendoj që po. Nuk mund të them të gjithë, por edhe ata që nuk mund t’i them, nëse punojnë në klubet e tyre mund të bëhen lojtarë shumë të mirë për ekipin Kombëtar. Dy-tre lojtarë u paraqitën shumë mirë, nuk dua të përmend emra, sepse janë të rinj. Është një test i kaluar për ta, që të jenë pjesë e kombëtares së Shqipërië”.

I pyetur në fund nëse kjo është baza e Shqipërisë U-21 për kualifikueset, trajneri Alban Bushi u përgjigj: “Baza është pothuajse 99% kjo. Gjithsesi ne skautojmë gjatë gjithë kohës, bëhet një punë shumë e madhe nga ekipi U-15 deri tek ekipi A. Gjatë gjithë kohës jemi në skautim, ata nga Europa ne nga Shqipëria. Kemi informacione për lojtarë dhe mund të afrohen sërish të rinj, sepse kjo është Kombëtare dhe shqiptarë ka në të gjithë botën. Gjithsesi mendoj se bërthama e grupit është kjo”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *