Eduart Rroca arriti që të shënonte dopietë dhe dhuroi një asist kundër Bursasporit duke konfirmuar formën pozitive në Turqi. Por Instabulspori nuk arriti që të mbante avantazhin 3-0, duke u barazuar në minutat e fundit nga ana e miqëve. Megjithatë thuajse në çdo Rroca merr rolin e protagonizmit me asist e dhëna dhe në tjera takime duke tundur rrjetën.
E mbi këtë formë të mirë që po kalon, Eduart Rroca ka folur për “Sport Magazine”, emision ky që transmetohet në “Ora News”. Një rrëfim i veçantë erdhi nga ana e futbollistit që tregon eksperiencën që po përjeton në Turqi dhe interesimet e menjëhershme që kanë ardhur për të.
“Sigurisht që na vjen shumë keq që nuk fituam në ndeshjen e fundit, e menduam të mbyllur ndeshjen pasi ishim në shifrat 3-0. Por ky është futbolli dhe të jep mësime, uroj që të kemi marrë mësimin e duhur. Të them të drejtën as vetë nuk e prisja se do të shpërtheja kaq shpejt për vetë vështirësinë e kampionatit në Turqi.
Mediat në Turqi? Në fakt nuk e dimë ende pasi nuk kuptojmë shumë dhe nuk i njohim mediat kryesore në këtë vend, ndryshe nga çfarë ishim mësuar në Shqipëri. Këta e kanë të vështirë që të thonë Rroca, e përmendin Roka. Këmbëngula që të ma thonin mbiemrin siç e kam, por nuk e shqiptonin dot.
Ofertat? Nuk lëviz dot në merkaton e janarit se sapo kam ardhur dhe nuk ndërrohen tre ekipe brenda një viti. Por mund t’ju them se presidenti i klubit ka marrë shumë telefonata për mua gjatë kësaj kohe. Dëshira ime është e madhe që të shkojë në elitën e Turqisë me Instabulsporin, por nëse nuk arrihet, atëherë nëse mbaj këtë formë do të shkojë sërish në merkaton e verës.
Kombëtarja? E ëndërroj ftesën dhe besoj se nëse vazhdoj kështu do të vijë për grumbullimet e radhës. Por për momentin nuk kam kontakte me asnjë, nuk më ka thënë njeri asgjë”, ka përfunduar Rroca. /Sport Ekspres/