Ditët e fundit në “Facebook” ka qarkulluar një lajm se skuadra e Devollit nuk do të udhëtonte drejt transfertës së Këlcyrës në fundjavë, për faktin se atje mund të ketë dhunë nga vendasit. Duket se ka inate të vjetra mesa palëve, për një ndeshje në Devoll ku ka pasur sherr mes dy futbollistëve, por vështirë se e mendonte ndokush se historia do të vazhdonte. Në fakt, lojtarë dhe drejtues të Devollit kanë sqaruar se është një lajm krejtësisht i pavërtetë dhe Devolli do të shkojë në Këlcyrë, pa pasur ndonjë frikë dhe Këlcyrës i është bërë ftesë që të marrë masat përkatëse për organizimin e ndeshjes. Duhet kujtuar se ndeshja do të luhet pa praninë e tifozëve, për shkak se Këlcyra është dënuar për ngjarjet në Përmet, por gjithsesi një grup tifozësh nga Devolli kanë paralajmëruar se do të shkojnë në Këlcyrë.
KËRCËNIMI – Debati në Facebook përfshiu edhe futbollistë të Këlcyrës, me dy anët e medaljes, sepse nëse njëri prej tyre kërkonte të ulte gjakrat: ‘Jemi në 2018 e jo në 1998, në fund të fundit jemi shqiptarë”, një tjetër kërcënonte: “Çfarë ke mbjellë do korrësh, në Këlcyrë është e sigurt që s’i pret diçka e mirë çunat e Devollit, më vjen keq që e them këtë”. Deklaratë e habitshme, nga anëtari i një klubi me damkë, që së pari duhet të evitojë përsëritje të një katastrofe si ajo në Përmet, ku FSHF i bëri nder të madh duke e kthyer në kampionat.
REAGIMI – Tifogrupi i organizuar i Devollit, “Devolli Ultrasit”, ka reaguar ashpër, duke paralajmëruar që asnjë lojtar apo tifoz të mos preket në Këlcyrë: “Ekipi i Këlcyrës po mundohet të ushtrojë dhunë psikologjike e ndoshta më shumë se kaq ndaj ekipit tonë. Ende në vitin 2018 ka qyteza ku futbolli shihet si një vend ku nëpërmjet dhunës merren fitoret. Gjithçka vjen nga fakti se FSHF dënon dhe fal brenda javës, ndaj edhe disa njerëz e klube nuk kanë frikë nga asgjë dhe kërcënojnë hapur. Ne si tifogrup ultras i Devollit paralajmërojmë se nëse do të ushtrohet dhunë ndaj ekipit tonë, do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë, madje do të kalojmë në ekstrem, pasi do të jemi 30-40 vetë në Këlcyrë. Gjithsesi, shpresojmë që rendi të jetë në lartësinë e duhur dhe drejtësia të vihet në fushën e lojës, të fitojë më i miri”.