Keidi Bare, tani kemi një yll botëror!

Gol ndaj Liverpulit dhe paraqitje fantastike në “Audi Cup”, turneu në Gjermani. Me merkaton e bllokuar, Simeone do t’I japë shanset e tij. Panuçi mban shënim dhe fërkon duart

Nga Anton Cicani

Që kur ishte fëmijë, ëndrra e tij e madhe ishte të luante në një stadium prestigjoz dhe me një ekip “big”, teksa në Akademinë e Apollonisë, zakonisht s’është e ndaluar të fantazosh edhe për të ardhmen tënde. Kështu ishte për Roshin, që megjithatë fatin e tij e pati në Gjermani me skuadrën e Këlnit, ndërsa sot është pikë kyçe e kombëtares. Atë kombëtare të madhe që po ndjek edhe Keidi Bare, teksa Kristian Panuçi nuk ia ndan sytë, aq sa edhe ditën e sotme e ka hapur tv në dy kanale… Për sfidën Legia Varshavë-Astana, ku u aktivizua Sadiku, por edhe në sfidën miqësore mes Atletiko Madridit dhe Liverpulit, në Gjermani. Aty ku, çuditërisht, dy lojtarët që luajnë me dy klube të nivelit botëror (Bare-Atletiko dhe Hysaj-Napoli) sa i përket futbollistëve shqiptar.

Nga Fieri… – Por, të ndalemi te fieraku, i cili më 26 dhjetor 2013 do të kalonte në Akademinë e skuadrës madrilène, aty ku edhe do të niste ngjitja e tij dhe formimi si futbollist. “Scout” të Atletikos e kishin parë dhe vendosën se fieraku shfaqte në këmbët e tij një të ardhme të madhe, thjesht duhej “skalitur”… Detyrë jo e vështirë, për një klub që këto vitet e fundit ka prodhuar lojtarë të nivelit botëror: vetëm pak kohë më parë, Teo Hernandez kaloi te Real Madridi për gati 26 milionë euro… i rritur, edhe ai, në Akademinë “Rojas” të Atletikos. Por, fiksimi i Diego Pablo Simeones shkon deri aty saqë, kur ka kohë dhe s’ka impenjime me ekipin e parë, të shkojë të ndjekë edhe ndeshjet e Atletikos B, ashtu sikurse edhe bëri. Shënime për Baren dhe, më pas, thirrja në ekip të parë. Stërvitje me yjet, teksa fieraku nis të mësojë edhe sekretet e tyre. Forcohet fizikisht, duke shtuar masë muskulore.

https://www.youtube.com/watch?v=CBYiX5ifegY

Sot, goli ndaj Liverpulit me kokë është vetëm një “kartëvizitë”, sepse Keidi sapo ka nisur të na mrekullojë. Shumë shpejt, do ta kuptojmë se pse…

Besimi – Kohë më parë, “AS” i dedikoi një artikull talentit nga Fieri, duke u ndalur te faza përgatitore që ai po zhvillon nën urdhrat e Simeones dhe te ndeshjet miqësore. “Keidi Bare është një nga ata futbollistë që ka gjithçka që i pëlqen Simeones. Agresivitet, intensitet, vrap, aftësi të rikuperojë topin dhe të bëjë trysni. Më 10 janar 2017 u bë nga Simeone futbollisti i parë shqiptar që vesh fanellën e Atletiko Madrid. Ishte kundër Las Palmas, në Kupë, me fanellën numër 44. Këtë verë, ai është një nga 5 lojtarët e akademisë që u zgjodh për të bërë fazën përgatitore në Segovia, por që u mor me vete edhe në Gjermani, në “Audi Cup”.

Shenja e fatit –  Ishte pas një prej arritjeve të tij (debutimi në moshën 15-vjeçare në Kupën e Shqipërisë me Apoloninë e Fierit), kur Atletiko e bleu për ekipin e paraterinjve të vitit të dytë. Por nuk e  regjistroi në klub derisa të mbushte 18-vjeç, për të mos u përballur me probleme. Tani është thuajse 20 vjeç, ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 dhe në fazën përgatitore me ekipin e parë të Atletikos, ishte i dyti në testet fizike (pas Vrsajlko), si dhe shënoi një supergol në seancën e fundit të javës së parë”, shkruan “As”, duke vijuar…

“Serioz, shumë serioz në punë.Dhe i përqendruar, shumë i përqendruar, edhe pse argëton me pasime. Është nga ato futbollistët e rrallë, mund të luajë si një numër 6 apo një numër 8. Por kur avancon në pozicionin e tij, ia vështirëson lojën kundërshtarëve. i fortë fizikisht, di të mbulojë mirë edhe mbrapa. I mbetet vetëm të përmirësojë aftësinë për të bashkëpunuar me të tjerët, por për këtë mjafton Simeone, i cili bën gjithmonë më të mirë çdo lojtar. Dhe ai nuk ia heq kurrë sytë akademisë. Nëse ndokush shkëlqen, ai i beson. Kaio nuk është këtë vit, Keidi po. Ai është një lojtar që dhuron shumë orë lojë, i cili është koherent edhe në mënyrën e mbajtjes së topit. Ai vazhdon të jetojë në konviktin e Atletiko Madrid, por ka një objektiv: të bëjë të mundur që familjarët e tij të vijnë të jetojnë në Spanjë, ëndrra e tij më e madhe”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *