Besoni apo jo te fati, apo mund të ketë qenë thjesht një koeçidencë fatkeqe. Sido të jetë, faktet janë të pakundërshtueshme: Arena e Kazanit është stadiumi i mallkuar për ekipet e mëdha në Botërorin 2018.
Brazili ishte skuadra e fundit e eliminuar përpara kohe nga turneu, me “seleçaon” që nuk arriti të realizonte objektivin për të fituar titullin e gjashtë botëror. Humbja 2-1 ndaj Belgjikës i ktheu brazilianët në shtëpi.
Stadiumi në Kazan ka pritur në total gjashtë ndeshje në evenimentin në Rusi. Ai është i njëjti impiant ku dy skuadra të tjera favorite për të fituar titullin botëror, Gjermania dhe Argjentina u eliminuan. “Pancerat” u mposhtën në mënyrë të papritur 2-0 nga Koreja e Jugut dhe nuk kaluan as fazën e grupeve, ndërsa “albiçelestët” e udhëhequr nga Lionel Mesi u thyen nga Franca në 1/8.
Së fundmi në Arenën e Kazanit ra edhe Brazili, favoritja tjetër e madhe e mbetur në garë, duke regjistruar edhe një rezultat historik. Për herë të parë, në gjysmëfinalet e Kupës së Botës nuk do të luajë njëra ndërmjet “seleçaos”, Gjermanisë apo Argjentinës.