Katastrofa kroate: Pas 11 vitesh Dinamo nuk kap grupet

Mediat kroate të pamëshirshme me Dinamon. Një moment tragjik për klubin e madh kroat, Skënderbeu zyrtarizoi një krizë që nuk dihet kur do marrë fund. Trajneri Cvitanoviç praktikisht i larguar…

“Vetëm një rast është shumë pak”! Mediat kroate ndjeshëm të irrituar kanë kritikuar me nota të forta skuadrën e tyre, pas eliminimit në turin “play-off” të Europa League-s. Dinamo e Zagrebit ka filluar të lëkundet dhe kjo duket se po i shqetëson kroatët, të cilat pasi iu gëzuan faktit se në kampionat po shohin rivalitet dhe kryeqytetasit u rrëzuan nga froni, janë hidhëruar pa masë që tashmë e shohin veten jashtë Europe. Pas plot 11 sezonesh Dinamo e Zagrebit, do të fokusohet vetëm në kompeticionet kombëtare, pasi nuk kishte ndodhur në dekadën e fundit që të mos ishte pjesëmarrëse së paku në grupet e Europa League-s. Edhe pse u paralajmërua një javë më parë, duket se barazimi pa gola dhe mbi të gjitha loja e dobët ka bërë që të ketë një reagim që Dinamo nuk e kishte menduar. Arrihet deri aty sa veçohet vetëm një rast i rrezikshëm për gol nga Olmo, por nuk lihet pa përmendur fakti se Skënderbeu u detyrua të luante me 10 lojtarë për më shumë se 15 minuta, por asnjë ndryshim nuk u vu re në fushën e lojës. Nuk ndalen me kaq, pasi theksohet fakti se në pjesën e parë skuadra e drejtuar nga Mario Cvitanoviç ishte inekzistente në fushën e lojës. Përgjegjësinë më të madhe ia faturojnë pikërisht trajnerit, i cili dhe vetë në konferencën për shtyp e pranoi se skuadra e tij bëri shumë pak për të synuar kualifikimin. Tashmë në Kroaci janë të bindur se Cvitanoviç është i pushuar nga puna, pasi nuk falet mungesa në Europë për herë të parë pas kaq shumë vitesh. Goal.com ka rreshtuar edhe një sërë arsyesh që shpjegojnë dështimin e Dinamos:

  1. Merkato e dobët

Është e habitshme që drejtuesit e Dinamos bënë aq shumë gabime në merkaton e verës. U ble vetëm mbrojtësi çek Lecjaks, i cili deri tani nuk ka treguar asgjë, duke qenë shumë larg nivelit të Dinamos. Edhe Tongo Dumbia është një blerje që deri tani nuk ka rezultuar e goditur, aq më shumë që u ble shumë vonë. Në të shkuarën Dinamo e përforconte skuadrën shumë herët, tani gjithçka është lënë në heshtje.

  1. Ndryshimi i trajnerit në momentin e gabuar

Dinamo u tregua naive sivjet. Mario Cvitanoviç nuk ka pasur kohhën e duhur, nuk ka eksperiencën e duhur dhe klubi i ndërron trajnerët shumë shpejt e pa asnjë plan.

  1. Vetëm një fitore evropiane.

Nëse klubet e tjera kroate dhanë gjithçka dhe shkuan shumë larg, Dinamo i tradhtoi. Vetëm një fitore në 4 ndeshje evropiane, dy barazime kundër Skënderbeut e një tjetrë kundër Odit norvegjez. Skënderbeu e Od rezultuan rivalë seriozë, por janë larg Dinamos në shumë drejtime, ndaj dështimi i Dinamos ka përmasa të frikshme. Me 4 ndeshje në Europë, Dinamo nuk eliminohej që prej sezonin 2002/03. Duhet rifreskim urgjent.

  1. Lojtarët janë fajtorë

Nëse Dinamo u eliminua nga vendi i tretë në Shqipëri, faj të madh kanë edhe lojtarët. Nuk e përballuan presionin, nuk u ngjitën asnjëherë në lartësinë e Dinamos. Sudani ishte i dëmtuar dhe u përdor si justifikim, por të tjerët nuk dhanë asgjë. Brenda pak muajsh, Dinamo humbi titullin, kupën dhe vjeshtën evropiane.

  1. Tani nis spastrimi dhe nuk afrohen as yjet

Për të kompensuar humbjet, Dinamo me shumë mundësi do të largojë shumë lojtarë deri në 31 gusht. Natyrisht, duhet parë nëse ata refuzojnë apo pranojnë, sepse janë nën kontratë. Dinamo këtë sezon do të luajë vetëm në fundjavë, pa vitrinën evropiane. A mund të joshë futbollistë cilësorë për t’u afruar?

 

Pasqyrimi i eliminimit në mediat kroate

24sata.hr: Thjesht të pafuqishëm: Dinamo nuk ka lojtarët e duhur, as profesionistë!

Net.hr: Dështim. Blutë mbeten jashtë Europe, Skënderbeu me një lojtar më pak e ruajti portën e paprekur

hrvatskareprezentacija.hr: Turpi i madh i Dinamos! Skënderbeu eliminon një Dinamo për të ardhur keq.

narod.hr: Goditje në zemër për Dinamon në Shqipëri! Pas 11 vitesh blutë mbeten pa vjeshtë evropiane.

vecernji.hr: Shokuese në Shqipëri! Dëshpërim për Dinamon, që për të parën herë që nga 2006 mbetet jashtë vjeshtës europiane .

portal.hr: Në ndeshjen e kthimit të turit të katërt të Championsit, lojtarët e Dinamos nuk kanë arritur që të shënojnë përballë Skënderbeut, duke u eliminuar nga kompeticionin për shkak të golit në fushën kundërshtare

goal.com.hr: Dinamo jashtë Europe! Blutë pas 11 sezonesh nuk do të kenë vjeshtë europiane!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *