Kastrioti si pretendent, Burreli konteston gjykimin

Krutanët fitojnë në një transfertë delikate dhe tregojnë forcën që në javën e parë. Vendasit e kanë me arbitrat

BURRELI     0

KASTRIOTI   2

Shënues: / Kabiru 78’,  Marku 90’+3

BURRELI: Hila, Ujkaj, Pashaj,Ibrahimllari, Polisi, Xhuveli (Shahini 52’), Stana, Kurbneshi (Farruku 56’), Kaloshi, Lampeti, Ogbejesi. Trajner: Sh. Berberi.  (Në dispozicion: Hysa, Mema, Likaj, Lekgegaj, Limani).

KASTRIOTI: Kuka, Borshi (Lilaj 51’), Hoxha, Lila, Boci, Mëziu, Çutra, Caca, Karakaçi (Marku 70’), Malindi (Dyca 67’), Kabiru. Trajner: S. Nikaj  (Në dispozicion: Spahia, Husein, Neziri, Xhaferri).

GJYQTARË: F. Xhemalaj, E. Sinanaj, E. Gjoni (Elbasan), G. Dragusha (Shkodër)

Vëzhgues: K. Brahja (Tiranë)

Delegat: G. Misha (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Kurbneshi 13’, Ujkaj 53’, Farruku 86’ / Mziu 59’, Marku 90’+2

 

Albi  Lala

Është luajtur e tensionuar përballja mes Burrelit e Kastriotit në “Liri Ballabani”. Nuk kanë munguar debatet në fushë, në stolat e rezervave, madje dhe në tribunën “VIP” ku kishte vetëm persona të autorizuar nga klubet respektive. Krutanët i janë gëzuar fitores me dy gola ndërsa vendasit nëpërmjet trajnerit Berberi kontestojnë gjykimin, madje sipas tyre në një farë mënyre gjyqtarët e vendosën rezultatin e takimit. Fillimi dhe fundi i ndeshjes sollën ritëm dhe episode. Teknikët Shahin Berberi e Samuel Nikaj për 95’ qëndruan në këmbë duke dhënë udhëzime për lojtarët. Në fund, Nika, iu gëzua fitores dhe shtrëngoi duart me kolegun Berberi. Në 6’ është Çutra për Kastriotin që hyn në zonë dhe pretendon se është ndaluar keq nga mbrojtja matjane. Pesë minuta më vonë është nigeriani Ogbejesi që dredhon bukur ndaj mbrojtësve miq, por nuk e finalizon si duhet aksionin. 14’ është përsëri Çutra që gjuan nga 18 metra dhe Hila me mjaft vështirësi e dërgon topin në korne. 24’ matjanët kanë rastin më të mirë për të shënuar. Kapiteni hyn vrullshëm në zonë dhe tre mbrojtës të Kastriotit e ndalin gati forcërisht. Xhemalaj i ndodhur fare pranë aksionit shtrin dorën drejt pikës së penalltisë. Ajo i besohet Ardian Kaloshit. Gjuajtja e tij ndalet mjaft mirë nga portieri Kuka. 27’, 41’ e 44’ janë Karakaçi, Malindi dhe Kabiru që tentojnë portën e Burrelit, por pjesa e parë mbyllet pa gola. Në momentin kur kryesori dha penallti për vendasit pati një farë tensioni në fushë dhe në pankinën e krutanëve.

Pjesa e dytë nis me një aksion të mirëorganizuar të ekipit të Nikajt. Por, në 77’ Pashaj e ndal topin me dorë. Matjanët pretendojnë se ai ishte jashtë zonës së 16 metrave, ndërsa anësori sinjalizoi kryesorin se ishte brenda zonës. Ka reagim të lojtarëve në fushën e lojës dhe reagime të stolit vendas. Nga pika e bardhë gjuan fort dhe saktë Kabiru dhe Burreli 0 e Kastrioti 1. Dy minuta më pas, matjanët shënojnë një gol që anulohet nga anësori Gjoni. Matjanët e rrethojnë atë dhe këmbëngulin të tërhiqet vendimi, duke pretenduar se topi u kthye në lojë nga portieri Kuka dhe nuk ka arsye të konsiderohet goli i parregullt. Në këto momente nervozizmi rritet dhe në pankinën e Kastriotit dhe mes lojtarëve. Minutat e mbetur nuk sollën ndonjë episod të veçantë. Kishte dëmtime të lojtarëve dhe simulime për ta vonuar atë. Por atëherë kur pritej vërshëllimë e kryesorit Xhemalaj vjen goli i dytë për krutanët. Lilaj vrapon nga mesi i fushës drejt krahut të djathtë të sulmit dhe pasi i afrohet portës pason te Marku që nuk gabon, gjuan tokas dhe vuloset rezultati i kësaj përballje, Burreli-Kastrioti 0-2.

 

Pas ndeshjes…

Shahin Berberi, trajner i Burrelit: “Ndeshja tregoi se skuadra e Kastriotit kishte përgatitje më të mirë fizike. Këtë e faktoi më së miri në fund të ndeshjes. Unë kam rezerva për gjykimin e takimit, sidomos në pjesën e dytë. Pashaj nuk e preku topin brenda 16-shes. Ishte një penallti e padrejtë. Po ashtu, anulimi i golit tonë ishte një tjetër gabim i gjyqtarëve. Topi u kthye në lojë nga portieri Kuka dhe në këto rrethana nuk ka pozicion jashtë loje. Këto dy vendime të gjyqtarëve vendosën rezultatin e takimit”.

Samuel Nikaj, trajner i Kastriotit: “E kishim vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. Ne e kemi ditur se skuadra e Burrelit luan mirë në fushën e vet dhe është e vështirë ta mundësh. Unë e konsideroj fat që e fituam këtë përballje. Pra më shumë fat se sa meritë. Jam tepër i qartë se ne duhet të përmirësohemi, të korrigjojmë gabimet dhe të metat”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *