Asnjë surprizë edhe në këtë javë të dytë në Kategorinë e Parë. Në grupin A Kastrioti ka regjistruar fitoren e dytë rresht, duke mposhtur 2-1 Egnatian, me dy gola në pjesën e parë nga Malindi e Çela, ndërsa për miqtë Vargu në minutën e 54-t rihapi ndeshjen, por nuk pati më gola. Sinjal i qartë nga Kastrioti ambicioz, skuadra e vetme me pikë të plota, edhe pse është ende shumë herët.
Triumf edhe për Korabin, që mund 3-0 Burrelin me 3 gola në 33 minutat e para (Murrja dy gole dhe Peçi), me këtë të fundit që është e vetmja skuadër ende pa pikë në grupi A. Për t’u veçuar pika historike e Vllaznisë B, që barazoi 1-1 në Pukë ndaj Tërbunit. Dy shkodranë, Shaba për vendasit e Markolaj për miqtë, shënuan golat e ndeshjes që prodhoi pikën e parë në historinë e Vllaznisë B në Kategorinë e Parë.
Më herët, Besëlidhja mori fitoren e parë sezonale, duke mposhtur 2-0 Besën, me dy gola në pjesën e dytë nga Oumar Turadi Kamara.
Në grupin B nuk ndalet Bylisi, fitues 3-1 ndaj Shënkollit, me gola nga Buzi, Zisi e Shoshi, ndërsa Danaj për miqtë shkurtoi përkohësisht në 2-1 për miqtë në minutën e 70-të.
Godet Tomori, fitues në transfertë në derbin kundër Naftëtarit. Suksesi 2-1 u siglua nga golat e Bitrit dhe afrikanit Onu në pjesën e parë, ndërsa Cake shkurtoi në pjesën e dytë, në një sfidë që pati 2 penallti dhe shumë kartonë, përfshirë një të kuq për Tomorin (Bitri në minutën e 75-të).
Festë për Ilirinë, triumfuese 3-1 ndaj Apolonisë (Lleshi, Mëllugja e Zuna autorë golash), së cilës nuk i mjaftoi goli i tretë sezonal i Krasniqit, i cili barazoi përkohësisht në pjesën e parë.
Festë edhe në Peqin, sepse Shkumbini mori fitoren e parë sezonale, duke mposhtur 1-0 Turbinën me golin e Sajmir Hasanajt në minutën e 53-të.