Kashami për skandalin ndaj Turbinës: Apolonia e pastër!

Trajneri i fierakëve ka folur pas ndeshjes së çuditshme me Turbinën. Në dhjetë minutat e fundit u shënuan katër gola

Mikel Mbriçaj

Apolonia vazhdon me qetësi punën për përgatitjen e sfidës së radhës që do të luajë në transfertë me Tomorin. Drejtuesit e klubit dhe të skuadrës, por dhe vetë lojtarët, nuk janë shqetësuar aspak nga ato që thuhen e shkruhen për një rezultat të paramenduar apo për një ndeshje të trukuar me cërrikasit. I pyetur për këtë ngjarje, trajneri i Apolonisë, Ndriçim Kashami, në një konferencë për shtyp fillimisht u shpreh: “Ajo çfarë po thuhet apo po shkruhet është një tallje me futbollin e ndershëm dhe nuk ka asgjë të vërtetë. Apolonia ka qenë, është dhe do të jetë e pastër. Askush nuk mund të na akuzojë, duke hedhur fjalë boshe që s’kanë asnjë të vërtetë. Ne distancohemi nga çdo lloj tentative për trukim të ndeshjes, madje e dënojmë si fenomen”.

MINUTAT E ÇMENDURA

Trajneri kavajas i Apolonisë, ka folur edhe për 15 minutat e fundit të ndeshjes me Turbinën, kur u shënuan 4 gola nga skuadra e tij. “Në ndeshjen me Turbinën u futëm në fushën e lojës të karikuar e me besimin për ta fituar atë, pasi ishte një sfidë e rëndësishme që duhej ta fitonim për të siguruar pesëshen e parë. Në rast të kundërt pozitat tona ndërlikoheshin. Shënuam të parët dhe kundërshtari na barazoi, madje na ka rrezikuar seriozisht në 10 minutat në vazhdim pas shënimit të golit. Përmirësuam lojën tonë, i dhamë asaj karakter tërësisht sulmues dhe kaluam përsëri në avantazh. Djemtë tanë shpërthyen dhe u treguan të papërmbajtshëm ndaj një kundërshtari të dorëzuar nga lodhja apo mospërgatitja. U shthurën tërësisht dhe lëshuan në lojën e tyre, por për këtë nuk mbajmë ne përgjegjësi. Ne jemi të qetë dhe luajmë futboll të pastër. Nuk e di pse është fryrë e ka kaluar në këto përmasa kjo fitore e Apolonisë, sa të flitet edhe për trukim. A nuk ishte po ky ekip që në fazën e parë kur udhëhiqte 2–0 në fushën e tij pësoi 3 gola në katër minuta nga ekipi i Tomorit, që shpërtheu ndaj një shthurje e vetëkënaqësie të paskrupull të skuadrës tonë. Me rezultatin 4–0 fituam dy javë më parë ndaj Naftëtarit, 3–0 fituam ndaj Bylisit në fazën e parë. Mos vallë të gjitha këto ishin ndeshje të trukuara apo me rezultate të paravendosura? Në asnjë mënyrë jo. Ato fitore me shumë gola erdhën si rezultat i lojës së bukur të skuadrës tonë. Pra të gjitha këto që thuhen e aludohen për ndeshjen me Turbinën janë fjalë boshe, ku nuk ka asgjë të vërtetë. Është e dhimbshme kur tallen me futbollin e ndershëm. Apolonia ka luajtur pastër e ndershëm në çdo ndeshje dhe kështu do të vazhdojë të luajë edhe në vazhdim, si dhe do të distancohet nga çdo lloj tentative për paravendosje apo trukim të ndeshjeve”, ka përfunduar trajneri i Apolonisë, Ndriçim Kashami.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online