Apolonia nuk është ndalur në rrugën e suksesit. Fierakët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në lojën e tyre dhe kanë fituar, ndonëse me rezultat minimal 1-0, ndaj Tomorit në transfertë. Me këtë fitore, të besuarit e trajnerit, Ndriçim Kashami treguan se fitorja e një jave më parë ndaj Turbinës, nuk ishte rastësi, apo e paragjykuar, sikurse u tha, por rezultat i një rritje të dukshme në lojën e saj.
Trajneri kavajas i Apolonisë, në një prononcim për gazetën u shpreh: “Ishim të ndërgjegjshëm se do të ishte një ndeshje e fortë dhe e vështirë, pasi luanim në transfertë ndaj një kundërshtari të fortë që na mundi në shtëpi në fazën e parë. Shkuam në sfidën ndaj Tomorit, të mobilizuar, e me synimin për të marrë hakun e fazës së parë duke e fituar. Jam i kënaqur se skuadra bëri një performancë mjaft të mirë u tregua e kujdesshme në lojën e saj. Të gjithë lojtarët i zbatuan me korrektësi detyrat e ngarkuara. U treguan superiorë ndaj “të zotëve të shtëpisë” në më të shumtën e lojës, duke krijuar raste të shumta shënimi ku mund dhe duhej të shënonim ashtu dhe si mund të pësonim. Vërtet arritëm një fitore të merituar në një ndeshje me luftë të fortë sportive, por nuk mund t’i gëzohemi, pasi menjëherë na duhet të mendojmë e të punojmë për ndeshjen e radhës që do ta luajmë në fushën tonë ndaj Tiranës kryesuese të grupit”, ka përfunduar trajneri Kashami.
Mikel Mbriçaj