Dani Karvahal dje firmosi kontratën e tij të re me Real Madridin, duke u prezantuar si lojtari më i fundit i cili ka rinovuar me kampionët e Evropës në “Santiago Bernabeu”. Kontrata e re do ta mbajë atë deri në vitin 2022 në Madrid, që do të thotë se të gjitha gjasat janë që ai fundin e karrierës ta mendojë si madrilen. Spanjolli, i cili është provuar te Bajer Leverkuzeni para se të bëhej titullar te “Los Blancos”, shprehu gëzimin e tij të madh dhe dashurinë që ka për klubin e zemrës.
Deklarata
“I jam shumë mirënjohës klubit. Nuk mund të jem më i lumtur se kaq. Kur firmos kontratën e radhës me klubin e jetës tënde, aty ku je rritur, është diçka e jashtëzakonshme. E konsideroj veten me fat që kam fituar të gjitha trofetë e mundshëm me Real Madridin dhe ende pres triumfe të tjera. Ky brez ka hyrë në histori dhe i gjithë populli madrilen po ndihet krenar me ne. Qëllimi im është që të fitoj sa më shumë tituj, nuk diskutohet, sepse sporti për këtë është. Do të doja që ditën kur të largohem nga këtu, të gjithë ta dinë se kam dhënë gjithçka për këtë klub dhe të jenë krenar për mua”, – deklaroi mbrojtësi i djathtë. I pyetur për ofertat nga klubet e tjera, Karvahal u përgjigj: “Jam i qetë në Madrid. Dua të jem gjithmonë këtu dhe as të shqetësohem duke dëgjuar ofertat e të tjerëve. Dua vetëm të përqendrohem që të jap më të mirën dhe klubi të më shpërblejë. Nuk i dëgjoj ofertat. Nuk e di sa është klauzola ime, por është shumë e lartë, kështu që askush nuk ka shans të më largojë”.