Karriqi nuk pranon provën, nuk ka marrëveshje me Partizanin

Drejtuesit e kuq i kërkuan të bënte provë, mbrojtësi i ardhur nga Greqia largohet menjëherë. Partizani në merkato për mbrojtës të djathtë

Partizani thuajse e kishte mbyllur çështjen e mbrojtësit të djathtë dhe zëvendësimit të preshevarit Arbnor Fejzullahi. Në kryeqytet mbërriti mbrojtësi Kostandin Karriqi. Ky i fundit foli me drejtuesit e kuq dhe parimisht marrëveshja ishte arritur. Futbollisti mbulonte krahun e djathtë të mbrojtjes, por kur ishte nevoja luante dhe në qendër të mbrojtjes, por dhe shkatërrues para mbrojtjes. Me pak fjalë, një “polivalent” i mbrojtjes që kushtonte vetëm 1500 euro në muaj. I duhuri për Partizanin, pasi nuk binte ndesh as me pretendimet financiare të klubit të kuq që synon të ulë borderon e rrogave.

21-vjeçari ka qenë në xhiron e Shqipërisë U-21 këto vitet e fundit, por edhe me Shqipërinë U-19 në vitin 2014. I rritur në Greqi (ish-Asteras Magulis dhe Trikalla), Karriqi shpërtheu sezonin e fundit te Anagenisi Kardhica, duke luajtur 27 ndeshje të plota, me një asist dhe një nivel mjaft të mirë loje. Këto të dhëna dukeshin mjaft të mira, por gjërat ndryshuan në momentin e fundit.

LARGIMI – Karriqi ka marrë ”goditjen” në momentin që ka biseduar ballë për ballë me drejtuesit e Partizanit. Atij i kanë thënë se duhet t’i nënshtrohet provës. Kjo nuk i ka pëlqyer aspak 21-vjeçarit që nuk ka pranuar vendimin e drejtuesve të kuq. Mbrojtësi është larguar menjëherë nga kryeqyteti dhe nuk ka pranuar të vazhdojë bisedimet. Një humbje për të kuqtë, nëse shohim të dhënat e tij të mira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *