Karolin Vozniacki jashtë Uimbëlldon mes sulmit të mizave

Ky vit do të mbahet mënd gjatë nga Karolin Vozniacki. Tesnistja daneze u bë për herë të parë kampione e një Grand Slemi pas triumfit në Melburn gjatë muajit janar.

Gjithsesi, kujtimet nga pjesëmarrja në Uimbëlldon nuk do të jenë aq të bukura, edhe sepse aventura zgjati fare pak. Vozniacki u eliminua në raundin e dytë nga Ekaterina Makarova. Ndeshja e luajtur mes pushtimit të fushës nga mizat, përfundoi në tre sete 6-4, 1-6, 7-5 në favor të ruses që ka marrë famë si teniste që eliminon emrat e mëdhenj.

Gjatë vitit të kaluar, Makarova e kishte mposhtur Vozniackin edhe në raundin e dytë të “US Open”, ndërsa më parë në turnetë madhorë ndërkombëtarë ka fituar edhe përballë tenisteve si Serena dhe Venus Uilliams, Simona Halep, Petra Kvitova, Agniezka Radvanska apo Anxhelik Kerber.

Në anën tjetër, Karolin Vozniacki që është numri 2 në renditjen botërore u kthye në shtëpi, ashtu si kishte ndodhur më parë me emra si Petra Kvitova, Maria Sharapova dhe Sloan Stefens, të gjitha të mundura prej raundit të parë në Uimbëlldon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *