Karabeci: Jam tifoz i Tiranës, do doja Gurin në ekip

Erando Karabeci ishte një nga ata që nuk e tradhtoi Tiranën verën e shkuar, duke pranuar të luante një vit në “purgatorin” e Kategorisë së Parë, ndërsa tashmë mendon për Superioren, pasi bardheblutë e kanë siguruar që fundjavën e shkuar rikthimin në elitë. Në lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport, mesfushori i njohur ka folur për Tiranën dhe jo vetëm kaq…

PARTIZANI E TIRANA – “E e kam nisur karrierën me Partizanin, ku kam luajtur për rreth dy sezone, por te Tirana po luaj sezonin tim të 9 dhe më duhet ta pranoj se jam tifoz bardheblu”.

SUPERIORJA – “Me aq sa kam pasur mundësi ta ndjek, mendoj se do të jetë një luftë shumë e fortë për mbijetesë, deri në javën e fundit. Më habit fakti që u fut edhe Kamza në këtë valle, pasi deri para disa javësh ishte në garë për një vend në Europë. Me aq sa i kam ndjekur, mendoj se kanë pasur një ekip shumë të mirë dhe që luanin pëlqyeshëm. Ndeshjet këtu kanë një trysni shumë të madhe dhe futbollistët nuk shprehen dot në maksimum, pasi vetë presioni i rënies, ndikon në lojën e tyre”.

KUKËSI – “Mund të flas më shumë për Kukësin, sepse e njoh disi më shumë, kjo ngaqë jemi përballur dy herë kundër tyre. Unë besoj se ata kanë një rritje kohët e fundit, por kur janë ndeshur me ne, nuk kanë treguar shumë nivel të lartë loje. Mendoj se në dy ndeshjet kundër tyre, ne kemi qenë dominues, po mendoj se kanë lojtarë që bëjnë diferencën në Superiore, sepse fillimisht ishte Bakaj dhe tashmë është bërë protagonist Guri. Personalisht mendoj se ai sulmues do të ecë shumë përpara, sepse është një nga lojtarët më të talentuar të Superligës”.

SKËNDERBEU E PARTIZANI – “Skënderbeu jo vetëm që do ta fitojë këtë sezon, por mund të them se e meriton tërësisht, pasi dominon shumicën e ndeshjeve në Superiore. Partizanin nuk e kam ndjekur në asnjë takim këtë sezon, por mua më duket se grupi i të kuqve është shumë i plotë dhe skuadra i ka të gjitha mundësitë të bëjë mirë ndaj çdo kundërshtari”.

TIRANA E SË ARDHMES – “Është pak herët për të menduar për projektet e ardhshme, pasi ne kemi ende edhe 4 ndeshje, para se të mbyllim sezonin në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, për të qenë i sinqertë, për të garuar ashtu siç duhet në Superiore, duhen edhe disa afrime cilësore, pasi nuk është e njëjta gjë me Kategorinë e Parë. Gjithsesi, unë besoj se me merkaton e duhur dhe me një ekip konkurrues, do të jemi në gjendje të bëjmë më të mirën.

ZE MARIA – “Nuk e di a do të vijojë me ne, pasi nuk më takon mua të flas për këtë. Ai do të ulet me presidentin dhe do të diskutojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët, pasi si trajneri, edhe presidenti kanë pretendimet e tyre për të vijuar bashkëpunimin. Nga ana ime personale, por edhe e djemve të skuadrës, do të donim të vijonim, pasi kemi një bashkëpunim mjaft të mirë me të. Ze Maria është një trajner shumë I aftë, por edhe shumë me eksperiencë, ndaj do të donim të vazhdonim, pasi ai mund ta drejtojë Tiranën drejt sukseseve. Gjithsesi varet edhe nga pretendimet e tij dhe sa i gatshëm është presidenti që t’ia plotësojë. Nuk pati asnjë problem pas ndeshjes ndaj Pogradecit, por trajneri ishte pak i mërzitur për mënyrën se si i morëm golat. Ishte pak i irrituar edhe në dhomat e zhveshjes, pak edhe me Hoxhallarin, por nuk ka asnjë gjë më tepër sesa shkaqe sportive, në lidhje me sjelljen tonë në fushë”.

LOJTARI I PREFERUAR – “Unë do të doja të kishim në ekip një sulmues si Guri, jo vetëm prej cilësive, por edhe për moshën, pasi është shumë i ri dhe ka të ardhme të ndritur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *