Karabaku është i frikshëm, por Kukësi beson te mrekullia

Barazim pa gola në ndeshjen e parë përballë një kundërshtari të frikshëm si Karabaku. Në takimin e kthimit në Azerbajxhan, Kukësi duhet të bëjë një tjetër paraqitje të nivelit të lartë. Objektivi është të mos pësojë gol, ndoshta që ekipi i cili do të kualifikohet në turin e tretë të Champions të vendoset pas ekzekutimit të penalltive. Kukësi është në kërkim të një mrekullie dhe në deklaratën e tij për “Super Sport” trajneri Armando Cungu shfaqet optimist.

SHANSET – “Për aq kohë sa rezultati është 0-0, kjo të jep shpresë për kualifikimin. Një gol të jep shumë shpresë, por brenda një 90 minutëshi mund të ndodhin shumë situata loje. E rëndësishme është që ekipi të luajë me dëshirën dhe karakterin e ndeshjes së parë. Pavarësisht se kundërshtari kuotohej dukshëm si favorit, asgjë nuk mund të na ndalë të zbresim në fushë dhe ta provojmë. Në ndeshjen e parë ekipi luajti mjaft mirë. Tani pse jo mos ta provojmë edhe atje dhe të luajmë për kualifikim”.

PARAQITJA – “Kukësi nuk ia dha mundësinë Karabakut të bënte shumë gjëra. Rivalët janë i njëjti ekip që vjet luajtën në Champions, duke barazuar dy herë me Atletikon e Madridit, ndërsa me Romën barazuan një herë dhe humbën në ndeshjen tjetër 2-1. Duhet dhënë më tepër vlerë lojtarëve të Kukësit, që nuk i dhanë mundësi këtij kundërshtari për të na goditur”.

KUJDES – “Vetë rezultati të jep mundësinë dhe na kërkon të jemi të kujdesshëm, si bëmë në Valeta, por edhe në Shkodër. Duhet të jemi shumë të thjeshtë në lojë dhe është e rëndësishme të kemi shpinën të nxehtë për të mos u goditur. Do të kërkojmë të kemi pak më tepër mundësi, të mos kemi elektrizimin si në ndeshjen e Shkodrës, ku shfaqëm nervozizëm në finalizimin e aksioneve”.

REXHINALDO – “Ardhja e Rexhinaldos është një vlerë më tepër dhe një ndihmë më tepër për Kukësin, në Europë dhe në kampionat. Këto ditë do të shohim nëse do të jetë i aftë të përballojë ndeshjen. Në ndeshjen në Azerbajxhan do të jetë pjesë e grupit dhe sado pak kontributi i tij mund të jetë i vlefshëm në minuta të caktuara. Përgjithësisht lojtarët në përgjithësi janë në gjendje të mirë. Mund të kemi ndonjë problem viroze, por së bashku me stafin mjekësor po punojmë që të gjithë të jenë prezentë, sepse nevojitet kontributi i të gjithëve”.

PENALLTITË – “Patjetër që po përgatitemi dhe do t’i provojmë edhe ato, është mëse normale pas rezultatit të parë. Nisemi të barabartë dhe të jemi gati për çdo gjë”.

AVANTAZHI – “Nuk duhet të kemi presionin e ndeshjes me Valetën, ku patëm ngërç psikologjik sepse cilësoheshim favoritë. Është shumë e rëndësishme të jemi të qetë, presioni është te kundërshtarët sepse ata cilësohen favorite dhe duhet të dimë ta shfrytëzojmë këtë presion psikologjik të Karabakut dhe ta kthejmë në favorin tonë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *