Kapiteni i vërtetë kuptohet në detin e trazuar, Julian Ahmataj dhe Tirana që ka shembullin Egbo

Tirana u kthye në kryeqendër të vëmendjes mediatike sportive në Shqipëri. Sigurisht, ekipi i kryeqytetit përbën gjithmonë lajm, veçanërisht në këto ditë ku zgjodhën që t’i jepnin duart të mbushura me para Orges Shehit.

Në një farë mënyre edhe duke e mbajtur peng pasi trajneri nuk mund të drejtojë një ekip tjetër, por do të vazhdojë që të paguhet nga bardheblutë. I pezulluar, jo i shkarkuar! Për momentin ky është njoftimi dhe në Shqipëri janë të shumta historitë e ribashkimit, sidomos në futboll.

Tirana kërkoi një trajner që t’i zgjidhte hall në këto ditë dhe para saj kishte klasiken kundër Vllaznisë. Julian Ahmataj u thirr në apel dhe menjëherë mbërriti për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së drejtuesve, pavarësisht se të vendosësh emrin dhe fytyrën në situata të tilla është edhe një risk i madh, një njollë mund të mbetet në CV.

Themi kështu pasi vetë mënyra sesi është komentuar Tirana në media, fakti se shumë gjëra ishin të pasigurta edhe për lojtarët që mbetën pa trajner vetëm pak ditë para Vllaznisë, një turpërim historik mund të peshonte rëndë.

Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por Ahmataj e mori përsipër detyrën dhe e kreu me sukses. Ai zgjodhi që t’i besonte një portieri 19-vjeçar, Abdullahu, një tjetër bast i fituar. Tirana dukej me këtë trajner sikur të kishte kohë të gjatë në drejtim, duke mbajtur ekuilibrin dhe duke fituar si një ekip i madh, me një rast në sekondën e fundit, pa i lënë asnjë shpresë rivalit për të tentuar edhe njëherë të fundit barazimin.

Në deklaratën për shtyp, Ahmataj meriton sërish vlerësim maksimal. “Kjo nuk është merita ime”, tha Juliani, duke ia lënë faturën e suksesit kolegut të tij, Orges Shehi, por pa prekur emër, gjithçka nënkuptohej. Një kapiten i vërtetë duket në detin e trazuar, Tirana e ka një histori suksesi me Egbo që erdhi në të njëjtën situatë si Ahmataj sot. Një trajner i përkohshëm që në fund u largua me titullin kampion në duar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *