Djemtë e Jurgen Klopp janë në rrugën e duhur për të fituar një titull të Premier League, të cilën nuk e kanë mbajtur në duart e tyre që nga viti 1990. “The Reds” udhëheqin me një epërsi prej 25 pikësh në krye, përpara se sezoni të pezullohej për shkak të pandemisë. Edhe pse ende nuk ka asnjë datë zyrtare, Premier League synohet të rifillojë pas dyerve të mbyllura muajin e ardhshëm dhe ëndrra 30-vjeçare do të mund të kthehet në realitet, por jo ashtu siç do e dëshironin.
Një festë e ftohtë ka për të qenë ajo e Liverpool në rast suksesi, teksa kapitenit Henderson do t’i duhet të ngrejë një trofe pa asnjë tifoz në stadium. Mesfushori në një intervistë për ‘’BBC Live 5’’ tha se do të ishte e pazakontë nëse do të ndodhte kështu, megjithëse ekipi i tyre ka akoma punë për të bërë deri në fund të sezonit.
“Sigurisht që do të ishte ndryshe nga herët e tjera, nëse fiton një trofe dhe e ngre atë pa asnjë tifoz të pranishëm, do të ishte goxha e çuditshme. Ende nuk ka mbaruar. Ne kemi akoma punë për të bërë dhe duhet të jemi në një nivel të lartë deri në momentin që do të përfundojë sezoni sepse duam ta mbyllim sezonin sa më mirë, që të ndjehemi akoma më të fortë”,u shpreh kapiteni Jordan Henderson./Sport Ekspres/