Sende të hedhura në fushë dhe tension i jashtëzakonshëm edhe pas ndeshjes Laçi-Kukësi. Ishte kjo ngjarja e fundjavës së shkuar në Superiore dhe sot Komisioni i Disiplinës ka marrë vendimin në lidhje me atë histori, sepse ka dënuar Laçin me dy ndeshje pa tifozë. Arsyetimi “për sjellje të gabuar të tifozerisë duke përdorur fjalë ofenduese në kor, duke hedhur gurë e mjete ndezëse brenda rrethimit të fushës së lojës ,duke shkaktuar akte dhune ndaj lojtarëve e zyrtarëve të ekipit kundërshtarë” duket shumë i rëndë, por dënimi ka qenë më i lehti i mundshëm, ndoshta duke marrë shkak edhe nga fakti që në Laç nuk ka precedent prej kohësh.
Ndërkaq, Kukësi detyrohet të zhdëmtojë të gjitha dëmet materiale të shkaktuara në stadium, pasi tifozeria kuksiane nuk ka qëndruar duarkryq.
VENDIMET
- KF “Laçi”, për sjellje të gabuar të tifozerisë duke përdorur fjalë ofenduese në kor, duke hedhur gurë e mjete ndezëse brenda rrethimit të fushës së lojës ,duke shkaktuar akte dhune ndaj lojtarëve e zyrtarëve të ekipit kundërshtarë, në bazë të nenit 66/3/a) të KDS,dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.
- KF “Kukesi”, detyrohet të zhdëmtojë të gjitha dëmet materiale të shkaktuara në stadiumin e KF “Laci” gjate ndeshjes “Laci- Kukesi”, luajtur me date 25.11.2017.