Kaos në Selanik, PAOK-Olimpiakos nuk luhet!

Ndeshja e rëndësishme e kampionatit grek, mes PAOK-ut e Olimpiakosit, nuk është luajtur sot, për shkak se trajneri i Olimpiakosit Oskar Garsia u godit me një send dhe u transportua në spital.

Ndeshja, e rrezikshmërisë së lartë për shkak të rivalitetit të egër mes dy klubeve e tifozerive, nuk nisi fare, për shkak të sendeve të hedhura nga tribunat, ndërkohë që diçka goditi trajnerin spanjoll, i cili kërkoi ndihmën mjekësore.

Mediat në Selanik pretendojnë se sendi ishte thjesht një rrotë letre higjienike, ndërsa mediat pranë Olimpiakosit shkruajnë se mund të ketë pasur ndonjë gur brenda letrës higjienike.

I shtrirë në tokë, Garsia kërkoi të shkonte në spital, ndërsa lojtarët e Olimpiakosit ikën në dhomat e zhveshjes.

Pas lajmit se arbitri vendosi që të mos luhej, tifozët e PAOK-ut rrethuan stadiumin dhe nisën përleshjet me policinë.

Situata është si në luftë, sepse në media shkruhet se Olimpiakosi do ta fitojë ndeshjen 3-0 në tavolinë dhe PAOK do të dënohet me 3 pikë minus në renditje, duke e nxjerrë praktikisht nga gara për titull.

Një rrotë letre goditi trajnerin, i cili simuloi gjithçka, apo ishte diçka më serioze se aq? Nuk dihet ende, por në Greqi futbolli është rikthyer në kaos total.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *