Janë vetëofruar mbrojtësi Borshi, mesfushori Aruçi dhe sulmuesi Prendi, kurse lushnjarët Topi, Allkanjari, Dervishi dhe Musaku kërkojnë rikthimin
Arjan Likja
Në kampin verdhjeshil, trajneri Hysen Dedja ka rinisur stërvitjen me të tijtë pas 3 ditëve pushimi. Ai do të vazhdojë punën me skuadrën deri më 29 dhjetor, mkur stërvitja do të ndërpritet për të rifilluar më 4 janar.
LOJTARËT NË PROVË – Pas një minutazhi me ushtrime shkrythëse, trajneri shkodran ka zhvilluar një ndeshje kontrolli, ku janë edhe tre futbollistë të rinj, të cilët kanë ardhur për provë me dëshirën e tyre. I pari është Ergi Borshi, 22 vjeç dhe fazën e parë të sezonit ka qenë pjesë e Kastriotit. Luan na mbrojtje dhe pretendon të bindë trajnerin Dedja për të qëndruar te Lushnja. Lojtar tjetër i vetëofruar është sulmuesi 21-vjeçar Kristian Prendi, i dalë nga akademia e Tiranës dhe që së fundi ka qenë i huazuar te Korabi në Kategorinë e Parë. Lojtari i tretë në provë është mesfushori i Tiranës B, Ardit Aruçi. Natyrisht, këta futbollistë nuk bëjnë pjesë te merkatoja që pretendohet nga drejtuesit e Lushnjës, por nëse tregojnë vlera, mund të qëndrojnë te verdhejeshilët. Lushnja ka nevojë më shumë se kurrë për përforcime cilësore në këtë merkato dimërore, pasi është e fundit në renditje dhe duhet të ketë më shumë cilësi në grupin e futbollistëve për të parakaluar dy rivalë në garën e fortë të mbijetesës.
LUSHNJARËT – E veçanta tjetër e stërvitjes së djeshme ishin edhe prania e mesfushorit veteran, Fation Topit, i cili aktualisht është pa ekip, si dhe e sulmuesit Arbër Allkanjari. Ky i fundit aktualisht është pjesë e Egnatias në Kategorinë e Parë. Mbrojtësi 21-vjeçar Renato Dervishi dhe mesfushori 20-vjeçar Musaku, të dy pjesë e Lushnjës sezonin e kaluar, gjithashtu ishin nën urdhrat e trajnerit Dedja. Dervishi dhe Musaku janë futbollistë nën kontratë me Shkumbinin, por me sa duket, kërkojnë rikthimin tek ekipi mëmë në gjysmën e mbetur të këtij sezoni. Pa dyshim, ajo që pritet me shumë interes nga sportdashësit lushnjarë, është data 4 janar, kur priten zhvillime në kampin verdhjeshil, me afrime dhe largime. Zyrtarët e Lushnjës, pas sugjerimeve të trajnerit Hysen Dedja, por lëvizin për të bërë të mundur përforcimin e ekipit me lojtarët që i duhen.