Kamza pa tifozë, por nuk i falet gabimi

Trajnerit Julian Ahmataj i kthehet Arrabal në mesfushë. Elbasanasi kërkon fitoren e parë në stolin e Kamzës për të rikthyer besimin

Jurgen Zela

Kamzës nuk i lejohet gabim sot, pasi do të ishte “vetëvrasje”, duke parë që kundërshtar ka Lushnjën, skuadrën që edicionin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë. Trajneri Julian Ahmataj do pikët e para si timonier i Kamzës, që do të kishin më shumë vlera në aspektin psikologjik dhe do të rikthenin besimin në grupin e futbollistëve. Kamzlinjtë kanë zhvilluar disa ndeshje pozitive, por rezultatet kanë munguar dhe “zona e ftohtë” është vetëm një pikë larg. Nga pretendimet për Europën, tani në diskutim është qëndrimi në elitë. Kamza bëri mjaft mirë në transfertën e Korçës, por nuk mundi të marrë qoftë edhe një pikë. Në këtë ndeshje skuadra nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve të saj, pasi Kamza është dënuar me një ndeshje me dyer të mbyllura nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të ngjarjeve në ndeshjen me Kukësin. Thuhet që “i mbyturi të mbyt” dhe te Kamza e kanë shumë të qartë se nuk duhet nënvlerësuar aspak kundërshtari. Suksesi i fundit i Kamzës është regjistruar pikërisht ndaj Lushnjës në transfertë. Fitorja është më shumë se detyrim sot për të shpresuar se do të jetë dhe ndeshja, që do t’i çlirojë  psikologjikisht lojtarët, siç ka deklaruar edhe trajneri Julian Ahmataj, i cili e sheh si problemin më të madh në këtë moment.

GJENDJA – Për t’u veçuar është fakti se në këtë ndeshje trajneri Ahmataj do të ketë grupin më të plotë. Sulmuesi Demir Imeri ka pasur probleme të vogla fizike dhe është stërvitur i diferencuar. I gatshëm për këtë ndeshje është braziliani Bruno Arrabal, që mungoi në Korçë për shkak kartonësh. Një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe pritet të zërë vendin e tij në formacion, në qendër të mesfushës. Kurse mbrojtësi Frashëri është ende pezull, pas dënimit të Disiplinës që pas ndeshjes me Laçin dhe sot pret përgjigjen, nëse do t’i shlyhet dënimi i mbetur apo jo. Me Lushnjën pritet vetëm fitorja, sepse edhe barazimi do të ishte njësoj si humbja. Rivalët e luftës për mbijetesë kanë ndeshje të vështira dhe Kamza mund të përfitojë në javën e 30-të.

 

Formacioni i mundshëm i Kamzës, 4-4-2

Avdyli

Frashëri Lelis  Çukoviç  Zguro

Fukui    Arrabal Ymeraj    Rezi

Fili     Plaku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *