Është vetëm java e tetë, ndaj Kamza bën mirë të mos fluturojë, por si mund të mos i bësh komplimente kur e sheh të kalojë Partizanin në renditje, të fitojë në Laç 1-0 dhe të jetë 3 pikë poshtë Flamurtarit?
Skuadra debutuese, drejtuar nga Ramazan Ndreu dhe ndërtuar në mënyrë fantastike, sot ka brë një goditje të madhe, duke fituar në Laç, një fushë e vështirë, vetëm në aspektin futbollistik, të kuptohemi.
Sebino Plaku tregoi sa vlen, Kamza tregoi sa e rëndësishme është të kesh në skuadër sulmues klasi si Plaku e Raçic. Laçi, për shembull, apo edhe Vllaznia e Luftëtari, do ishin mbi Kamzën, nëse do të kishin këta sulmues.
Jo, biznesin e verës e ka bërë Kamza, që sot luajti ndeshjen perfekte, u mbrojt shkëlqyeshëm dhe priti, gjatë, derisa i doli rasti për të goditur. Plaku që në pjesën e parë i kishte dhënë sinjalet duke goditur një traversë, ndërsa në fund u gjend aty ku duhej, kur erdhi një kros nga e djathta dhe nuk fali.
Bravo Kamza, e bëre lëmsh kampionatin nëse vazhdon kështu!
Kategoria Superiore, java 8
E hënë, ora 14.00, stadiumi Laç
Laçi – Kamza 0-1
Shënues: Plaku 86′
Laçi: Selmani, Sefgjinaj, Gjoni, Qaqi, Fangaj, Shala, Bardhi (Lushkja 46′), Jonuzi (Kallaku 84′), Eskerda (Xhixha 74′), Uzuni, Rexhinaldo.
Të gatshëm: Vata, Prodani, Bushi, Ejo. Trajner: Gentjan Mezani
Kamza: Halilaj, Neziri, Kuqi, Fushtar, Frashëri, Ymeraj (Zefi 73′), Arrabal, Fukui, Rezi (Mehmeti 88′), Plaku, Raçiç (Imeri 72′)
Të gatshëm: Gjonikaj, Rami, Leo Lelis, Mumajesi. Trajner: Ramazan Ndreu
Kartonë të verdhë: Bardhi 33′, Xhixha 90’+5 / Fukui 32′, Neziri 55′, 62′
Kartonë të kuq: Sefgjinaj 63′ / Neziri 62′ (2KV)
Gjyqtarë: E. Jorgji, R. Preça, E. Ganxhi, F. Xhemalaj