Kamza i përgjigjet Kukësit: Cilën ndeshje po shihnit, atë ndaj Skënderbeut?

Kamza nuk pranon të përbaltet dhe deklarata e fortë e Kukësit se arbitri Enea Jorgji është shitur te Kamza ka tërbuar drejtuesit e klubit debutues, që dje fitoi bujshëm brenda në “Zeqir Ymeri”. Me një deklaratë për mediat, Kamza ka hedhur poshtë aludimet e Kukësit, duke kërkuar burrëri dhe shtrëngim dore nga humbësit, jo akuza të tilla.

DEKLARATA

“Klubi ynë, pasi u njoh me deklaratën e kundërshtarit të sotëm, ndihet i ofenduar dhe i përbaltur ndaj një fitore te merituar! Lojtarët tanë kanë sakrifikuar në fushën e lojës dhe djersën e tyre askush s’mund ta hedhë poshtë! Në fakt, deklarata e Kukësit duket e nxituar dhe e nxitur nga mërzia e humbjes. Mbase kanë qenë duke parë ndonjë ndeshje tjetër, pa kanë bërë këtë deklaratë të turpshme! Mbase ndeshjen Kukësi-Skënderbeu, ku u vendos titulli i fundit, me po të njëjtin arbitër!

E kuptojmë se Kukësi pa penallti nuk fiton (si në ndeshjen e parë ndaj nesh në Kukes), por ja që rasti i Frashërit është parë nga stafi ynë mbi 3-4 herë me kujdes në përsëritje televizive dhe nuk kemi arritur ta dallojmë a ka prekje të topit me dorë apo jo!  Ndërkohë që stafi i Kukësit qenka i bindur për 11-metërsh!

Ftojmë ekipin e Kukësit, siç u ka hije verioreve, të pranojnë humbjen me burrëri, fundja fituesin momental vetëm një ekip kampion di ta respektojë e shtrëngojë dorën, gjë që sot kampionët e Shqipërisë, të fokusuar tek arbitri Jorgji, nuk e bënë. Gjithsesi, skuadra e Kamzës respekton futbollistët e Kukësit në fushën e blertë dhe nuk i heq asnjë meritë në këtë humbje, ku ata luftuan burrërisht deri në fund, ndryshe nga drejtuesit e tyre, që u dorëzuan pa kushte, duke u konvertuar ne specialistë të moviolës! Pavarësisht akuzave të pabaza, ne vazhdojmë të ecim përpara të bashkuar dhe bëhemi akoma më të fortë kur na provokojnë e kërkojnë të na përçajnë me shashka të tilla si kjo e sotmja!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *